Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë kundër çdo vendimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike, një ditë para se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të marrë vendimin përfundimtar për tarifat e reja.
Në një reagim të publikuar nga zyrtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, theksohet se ky vendim nuk është thjesht teknik apo i një institucioni “të pavarur”, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj standardit të jetesës së qytetarëve dhe fuqisë blerëse të tyre.
“Ky është vendim që prek çdo familje dhe biznes në Kosovë. Në katër vitet e fundit, çmimi i energjisë është dyfishuar, e tani pritet edhe një ngritje tjetër”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kërkuar që ZRRE të pezullojë çdo vendim deri në konstituimin e Kuvendit të ri, në mënyrë që bordi i këtij institucioni të raportojë dhe të justifikojë propozimin para deputetëve.
LDK ngre disa pyetje të rëndësishme për ZRRE-në dhe kompanitë energjetike:
Pse po rriten tarifat kur KEK-u i shet energji KESCO-s për vetëm 29.6 euro/MWh?
Pse nuk publikojnë pasqyrat financiare KESCO dhe KEDS?
Si mundet që as ministrja e Ekonomisë nuk e di nëse këto kompani i kanë përmbushur planet e tyre të investimeve?
Sipas Bajramit, në kushtet kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe ligji për pagë minimale nuk po zbatohet, çdo rritje e tarifave të energjisë do të rëndonte edhe më tej qytetarët dhe do të shtynte bizneset të rrisin çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
“Ne kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve të këtij vendi. Ne jetojmë këtu dhe e dimë realitetin ekonomik që po kalojnë”, ka përfunduar reagimin e saj Bajrami.