×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK mbetet me Procesin e Berlinit, Ballkani i Hapur opsion vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën

    Reporteri
    09 Qershor 2022 | 16:37

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të besojë se Procesi i Berlinit garanton barazinë dhe avancimin e rajonit në integrimin në BE.

    Duke komentuar për nismën e Ballkanit të Hapur, në LDK thonë se kjo “vetiniciativë” e shteteve të rajonit, – jashtë të cilës me vetëdëshirë mbetet vetëm Kosova, – ka kuptim vetëm atëherë kur palët trajtohen barabartë dhe kur shtetet pjesëmarrëse njohin njëra tjetrën në kufijtë ekzistues dhe në sovranitetet e tyre kushtetuese.

    “Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, rreth integrimeve rajonale është tashmë i qartë dhe i pandryshueshëm. Si LDK mbështesim bashkëpunimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor brenda Procesit të Berlinit, ku Kosova ka dhënë dhe zotimet ndërkombëtare”, i ka thënë të enjten Gazetës Online Reporteri.net zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

    “Çdo vetiniciativë tjetër rajonale, si proces ndihmues apo paralel, ka kuptim vetëm atëherë kur palët trajtohen barabartë. Kjo barazi trajtuese sigurohet kur shtetet pjesëmarrëse njohin njëra tjetrën në kufijtë ekzistues dhe në sovranitetet e tyre kushtetuese – si dhe ndërtojnë mekanizma institucional që sigurojnë qartë funksionimin e nismave në mënyrë të barabartë ndaj shteteve anëtare”, shton Halimi, që njëherësh është edhe anëtare e kryesisë së LDK-së.

    Sibel Halimi, antare e kryesisë dhe zëdhënëse e LDK-së

    “Procesi i Berlinit garanton, barazinë dhe mekanizmat mbikëqyrës – dhe mbi të gjitha, garanton avancimin e rajonit në familjen evropiane”, insiston zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në deklaratën për Gazetën Online Reporteri.net.

    Për dallim nga LDK-ja, por edhe dy krerët e shtetit, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, që nuk besojnë se ‘Open Balkan’ avancon integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, është Departamenti amerikan i Shtetit që së fundi po e mbështetë haptas këtë nismë rajonale.

    “Iniciativat rajonale të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse të bazuara në rregullat dhe rregulloret e BE-së janë themelore për të fuqizuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe për ta çuar rajonin më afër Evropës. Shtetet e Bashkuara i mbështesin këto dhe nisma të tjera plotësuese, të cilat kolektivisht thellojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe avancojnë rrugën evropiane”, thuhet në deklaratën e një zëdhënësi të Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, të pyetur rreth iniciativës për “Ballkanin e Hapur”.

    “Bashkëpunimi më i ngushtë dhe më i integruar në të gjithë Ballkanin Perëndimor do të tërheqë investime në energji, banka, prodhim, shërbime dhe sektorë të tjerë në një treg prej 20 milionë punëtorësh dhe klientësh të arsimuar në zemër të Evropës”, thotë tutje deklarata e zëdhënësit të DASH për Gazetën Online Reporteri.net.

    DASH për ‘Open Balkan’: E mbështesim. Bashkëpunimi më i ngushtë i vendeve do të tërheqë investime në energji, banka e prodhim

    Në kuadër të “Open Balkan”, të mërkurën, në Ohër të Maqedonisë së Veriut është mbajtur samtimi i radhës i kësaj iniciative. Në këtë takim të pranishëm ishin liderët e 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës e cila vazhdon ta refuzojë këtë nismë.

    Shqipërinë në samit e përfaqësoi Kryeministri Edi Rama, Serbinë presidenti Aleksandar Vuçiq, Maqedoninë e Veriut Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sikurse Malin e Zi kryeministri Dritan Abazoviq, derisa Bosnja dhe Hercegovina u përfaqësua nga Kryetari i Këshillit të Ministrave Zoran Tageltija. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!