Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një deklaratë për media, ku thotë se ka treguar mirëbesim e vullnet në negociatat me Vetëvendosjen. Edhe takimi i sontëm, i treti për këtë javë, shkoi pa marrëveshje, shkruan Reporteri.net.
Në deklaratën e LDK-së thuhet:
“Të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta. LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”.
Nuk tregon se për çfarë oferte është fjala.
Para se të hynte në Kuvend, kreu i LDK-së ka deklaruar se “Do mundohemi të arrijmë një marrëveshje”, shkruan Reporteri.net.
Ndërsa kreu i VV-së, me një shprehje nervoze, para nisjes për Kuvend ka deklaruar “Përpjekjet nuk i ndalim, lëvizje ka pasur, marrëveshje nuk ka ende”. Madje tha se ‘nuk varet prej meje.
Burimet e Gazetës Online “Reporteri.net” thonë se nuk ka marrëveshje për qeveri, por për dallim nga herët e tjera, në këtë takim nuk janë marrë vesh për takimet e radhës.
Madje sipas burimeve, disponimi në takim ka qenë më i keq se në takimet e para dy ditëve.
“Nëse në dy takimet e para kemi pas disponim dhe përafrim, këtë herë nuk ka pasur qasje pozitive”, tha ky burim.
Derisa negociatat duket se kanë stagnuar dhe nuk shihet dritë në fund të tunelit, presidenti i vendit, Hashim Thaçi po e kërkon propozimin për mandatar. Një afat prej 48 orëve që ia dha Kurtit, i shkoi huq, pasi VV-ja nuk dërgoi asgjë. Nuk dihet se cilat do të jenë tash veprimet e të dy palëve./Reporteri.net