Pas takimit të zhvilluar me Presidenten Vjosa Osmani dhe liderët politikë, ku mori pjesë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kjo parti ka dalë me një deklaratë publike, duke pthënë se zgjidhja më e përshtatshme për krizën aktuale politike në vend, është propozimi i tyre për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe detyra të qarta.
“Me qëllim të zgjidhjes së krizës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare. Kryesia e LDK-së vlerëson se ky është propozimi më i përshtatshëm dhe më i dobishëm për interesin e vendit”, thuhet në deklaratën e partisë dhënë pas takimit të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
LDK thekson se do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe maturi, duke ftuar edhe partitë e tjera që të përkrahin këtë ide si rrugën më të mirë për kapërcimin e krizës së thelluar politike.
Sipas LDK-së, kjo situatë është pasojë direkte e dështimit të partisë së parë në arritjen e një shumice parlamentare, duke pamundësuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe konstituimin e tij.
“Çdo përpjekje për të funksionalizuar institucionet pa një shumicë parlamentare është tentativë për të imponuar dëshira politike mbi realitetin politik. Përsëritja e dështimeve në përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk ofron asnjë zgjidhje”, thuhet më tej në deklaratë.
LDK tërheq vëmendjen se zvarritja e situatës nuk mund të vazhdojë pafundësisht, duke e cilësuar të dëmshme për interesin publik çdo vonesë në ndërtimin e institucioneve. Sipas saj, veprimi i një qeverie në detyrë përtej kompetencave kushtetuese përbën rrezik për rendin kushtetues dhe mund të përbëjë shkelje serioze ligjore.