Në mungesë të një ftese nga ana e presidentit të vendit për caktimin e datës së zgjedhjeve, pas dorëheqjes së kryeministrit, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka paralajmëruar thirrjen e një seance për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë seance sipas Hotit, deputetët, paraprakisht, duhet të ratifikojnë marrëveshjen IPA me BE-në, e cila sipas tij siguron fonde rreth 100 milionë Euro për Kosovën.
Ky është postimi i plotë i Hotit në Facebook:
Ne ende nuk kemi marrë ftesë nga Presidenti për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve. Këto vonesa janë të pa arsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive. Koalicioni PAN nuk ka pasur legjitimitet tash e një vit për të qeverisur me Kosovën dhe nuk ka as tani për të propozuar një mandatar të ri. Ne do t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë temë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime.
Por, në mungesë të një iniciativë të tillë nga Presidenti, ne do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit, siç parashihet me nenin 83, pika b, e Rregullores të Punës të Kuvendit. Në këtë seancë, paraprakisht do të kërkojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, e cila Kosovës i sigurojnë fonde rreth 100 mil euro. Është e rëndësishme që këto fonde të mos humben për shkak se Kosova ka pasur një qeveri jo legjitime.