×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    LDK: Përpjekjet për të shtyrë përpara agjenda politike pa 61 vota, përbëjnë shkelje të demokracisë – s’lejojmë bllokimin e Republikës

    Reporteri
    19 Prill 2025 | 20:16

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se dështimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur kryeparlamentarin të shtunën në dy tentativa, tregon se kjo parti nuk e ka shumicën në Kuvend.

    LDK-ja ka thënë se VV-ja s’mund të fshehë mungesën e numrave “pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare”.

    Në deklaratën për media, LDK-ja ka dhënë pozicionin për 6 pika.

    Sipas saj, komisioni për verifikim të mandateve i hapi rrugë konstituimit pas “pranimit të dorëheqjeve verbale nga anëtarët e Qeverisë të certifikuar si deputetë”.

    Pozicion i dytë i LDK-së është që “të mos marrë pjesë në asnjë proces që cenon rendin kushtetues, procedurat demokratike dhe vullnetin e lirë parlamentar”.

    LDK-ja ka paralajmëruar po ashtu veprime ligjore ndaj zyrtarëve qeveritarë që edhe pse të certifikuar si deputetë kanë marrë vendime ekzekutive nga 27 marsi e këndej.

    Kjo parti ka thënë se VV-ja ka bërë përpjekje përmes presioneve e kalkulimeve të dyshimta që të ndikojë mbi vullnetin e deputetëve.

    Sipas LDK-së realiteti është se “Vetëvendosje nuk i ka numrat”. “Dhe ky fakt nuk mund të fshihet pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare”, thuhet në reagim të LDK-së.

    Në pikë të pestë, LDK-ja ka thënë se çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa u bërë 61 vota minimale, “përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare”.

    Në pikë të fundit, LDK-ja ka thënë se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional e legjitimitet të plotë politik.

    “Ne nuk do të lejojmë që Republika e Kosovës të bllokohet për interesa të ngushta partiake. Rruga e vetme përpara është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!