×
  • Lajme
  • Lajme / Kritika ndaj pushtetit

    LDK: Po të na dëgjonte qeveria, sot Kosova do të kishte KiE – vendimet e vonuara të dëmshme dhe kushtueshme

    Reporteri
    16 Maj 2024 | 12:11

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zotimit të Qeverisë për krijimin vet të Asociacionit dhe dërgimin e draft-statutit të tij në fund të majit në Gjykatën Kushtetuese, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nga LDK-ja është publikuar një deklaratë e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, kur në qershor të vitit 2023 kishte thënë se autorë të themelimit të Asociacionit duhet të jenë institucionet e Republikës së Kosovës, në të kundërt s’do të kishte vlerë për shtetin tonë.

    “Ne kemi kërkuar që institucionet e Kosovës të marrin autorësinë për themelimin e Asociacionit. Të jenë autorë të këtij Asociacioni, pra të nisin të shkruajnë draft-statutin e Asoacicionit. Ky ka qenë qëndrimi i LDK-së. Por asnjë propozim që nuk del me autorësi të institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk ka vlerë për Kosovën”, është deklarata e Abdixhikut vitin e kaluar.

    Krahas kësaj video, në reagim thuhet se vendimet e vonshme janë të dëmshme për vendin, pasi kjo vonesë tashmë është e kushtueshme.

    Sipas kësaj partie, nëse do të dëgjoheshin pikëpamjet e LDK-së, Kosova sot dë të ishte në KiE.

    “Vendimet e vonuara të Qeverisë janë gjithnjë të dëmshme. Autorësia mbi asociacionin pasi autonomia është vënë kusht, është vonesë e kushtueshme! Sikur të veprohej sipas pikëpamjeve politike të LDK-së, sot Kosova do të kishte edhe Këshillin e Evropës edhe do të shmangte autonominë. Popullizmi kushton!”, thuhet në reagimin e LDK-së./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!