Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën në veri të vendit, ku po zbatohen masat e qeverisë së Serbisë, e jo ato të Kosovës. Edhe pse ende pjesë e qeverisë në largim, LDK e ka akuzuar qeverinë Kurti se po e rrënon atë sovranitet në veri të vendit, i cili u desh të shtrihet në disa vite përpjekje.
LDK në një reagim për media, thotë se shpreh shqetësimet në lidhje me zhvillimet në veri të vendit.
“Situata në veriun e vendit, përveç problemeve me pandeminë po përkeqësohet edhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të Beogradit. Si gjithmonë, Serbia nuk brengoset për fatin e qytetarëve të Kosovës në veri, por qëllimi i saj është zgjerimi i ndikimit në këto komuna”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit”, thuhet në komunikatën e LDK’së.
Partia e Isa Mustafës i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti, që të kujdeset për qytetarët e Kosovës në atë pjesë të vendit. Sipas kësaj partie, ajo që është arritur për disa vite në atë pjesë të Kosovës, po rrënohet nga kjo qeveri.
“Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet tjera kompetente duhet të garantojnë shëndetin e qytetarëve tanë në veri, të ofrojnë ndihmën e nevojshme sikur në çdo pjesë të Kosovës, por nuk duhet në asnjë mënyrë të heqin dorë nga ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin”.
“Ajo që është arritur për vite të tëra për shtrirjen e sovranitetit në veri, kthimin e pikave doganore, zbatimin e marrëveshjeve për integrimin e sistemit të drejtësisë dhe policisë, nuk bën të rrënohet nga kryeministri në detyrë dhe vartësit e tij. Institucionet e Kosovës duhet të garantojnë sovranitetin në çdo fushë, por edhe t’ju dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie për tejkalimin e situatës së emergjencës shëndetësore”, thuhet në fund të komunikatës së LDK’së. /Reporteri.net