×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK: Veprim i ngutshëm e shantazhues procedimi për ndryshimin e Ligjit Zgjedhor

    Reporteri
    02 Prill 2021 | 17:45

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas iniciativës së Vetëvendosjes për Ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.


    LDK e ka  konsideruar të ngutshëm vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në vend, shkruan Reporteri.net.

    Nga kjo parti thonë se ky ligj nuk duhet të shndërrohet në mjet shantazhi politik.

    “Pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i koncensusit; sidomos kur një koncensus i tillë ishte i mundshëm. Shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, ndërsa, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje por zgjedhje. Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së.

    Njoftimi i plotë:

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje nismat e orëve të fundit të deputetëve të pushtetit dhe e konsideron absolutisht të ngushtëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, marrë parasysh faktin që Kosova sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re.

    LDK vlerëson lart konributin e mërgimtarëve tanë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj, kudo që është, duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar.

    Prandaj, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësishëm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm. LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

    Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit.

    Pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i koncensusit; sidomos kur një koncensus i tillë ishte i mundshëm. Shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, ndërsa, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje por zgjedhje. Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!