×
  • Lajme
  • Lajme

    Letra akuzuese e Kurtit për Gjykatën Kushtetuese, kaq kanë për të thënë nga Zyra e BE-së dhe Ambasada amerikane

    Reporteri
    07 Maj 2020 | 19:11

    Zyra Ndërlidhëse e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada Amerikane kanë zgjedhur të mos komentojnë një debat në distancë, edhe me akuza madje mes Kryeministrit të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese. Ndonëse ata zakonisht kanë reaguar për ndonjë veprim që ka mundur të cenojë pavarësinë e një institucioni, kësaj herë kanë vendosur të heshtin, shkruan Reporteri.


    Një letër e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti drejtuar Gjykatës Kushtetuese bëri bujë disa ditë më parë. Letra, që e publikoi i pari Reporteri, kishte plot akuza në drejtim të Gjykatës Kushtetuese për jo profesionalizëm, anshmëri dhe shkelje ligjore.

    “Për ne, refuzimi për të zbatuar rregullat e vendosura nga vet Gjykata Kushtetuese në rrethanat e rastit konkret, është shqetësim serioz në lidhje me profesionalizmin dhe paanshmërinë e Gjykatës”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument të drejtuar për institucionin që i garantohet supremitet dhe pavarësi me Kushtetutë të vendit.

    Kur Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin, që fliste për vendimet e Ministrit Arben Vitia iu përgjigj edhe kësaj letre.

    “Gjykata, këtë parashtresë, si dhe të gjitha të tjerat, e ka ndarë me palët e interesuara në këtë rast. E njëjta, do të publikohet në tërësinë e saj bashkë me Aktgjykimin KO61/20, i cili përmban edhe sqarimet e nevojshme përkitazi me këtë parashtresë. Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës”, thuhet nder të tjera në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, transmeton Reporteri.

    Në lidhje me këto zhvillime kishin reaguar ekspertë të fushës, partitë opozitare madje edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

    Por, a kanë komente nga faktori ndërkombëtarë, Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë? Këto dy institucione kanë qenë shpesh vrojtues e garantues që të ndërhyjnë me reagime të ndryshme, kur ndonjëherë është parë që po cenohet pavarësia institucionale, aq më tepër e gjyqësorit. Kësaj herë, ata nuk kanë asnjë koment.

    Reporteri.net ka dërguar pyetje në lidhje me këtë rast, në të dy këto mekanizma ndërkombëtarë, por asnjëra palë nuk ka dhënë komente për njërën apo tjetrën palë.

    Ambasada amerikane nuk ka asgjë për të shtuar në lidhje me këtë”, thuhet në një përgjigje për Reporterin.

    Komente nuk kanë dhënë as nga Zyra Ndërlidhëse e BE-së në Prishtinë.

    BE-ja nuk e komenton shkëmbimin e letrave dhe komunikimin midis institucioneve të Kosovës. Për më tepër, nuk është prerogative e saj qe ta vlerësojë punën e Gjykatës Kushtetuese”, kanë thënë për Reporterin, Zyra për Media e Zyrës së BE-së.

    Gjykata Kushtetuese ndërkohë është duke e trajtuar një prej rasteve, ndoshta më të ndjeshme. Deri më 29 Maj ajo ka pezulluar një dekret të Presidentit të Republikës, për ta mandatuar Avdullah Hotin për Kryeministër.

    Është Lëvizja Vetëvendosje që e ka dërguar lëndën dhe pretendon se tashmë veç zgjedhjet janë opsion edhe kushtetues.

    Ndërkohë, LDK -AAK dhe Nisma kanë nënshkruar marrëveshje. PDK ka bërë të ditur se qëndron në opozitë dhe kërkon zgjedhje pas pandemisë.

    Qeveria e Kosovës u rrëzua më 25 Mars, pasi partnerët LDK dhe VV u prishën pas shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm. LDK tha se prishi Qeverinë shkaku i prishjes së raporteve me Amerikë nga kryeministri Kurti. Ky i fundit akuzoi edhe të dërguarin e Presidentit Donald Trump, Richard Grenell se mori pjesë në shkarkimin e tij.

    Dje, Qeveria pranoi, se ka dërguar një letër në drejtim të Zëvendës Presidentit, Mike Pene, për ta informuar me situatën politike në vend. Ajo nuk është publike dhe nuk është dërguar as përmes Ambasadës sonë në Uashington. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!