×
  • Lajme
  • Lajme / Lutja për koalicion

    Letra e Kurtit për Abdixhikun, Haziri: Me kohë do të përgjigjemi, ne as nuk ngutemi e as nuk vonohemi

    Reporteri
    05 Maj 2025 | 21:14
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    Nënkryetari dhe deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri, ka folur lidhur me letrën që Kryetari i Vetëvendosjes, njëherit Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka dërguar sot Kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhikut, ku i kërkoi që të bënin koalicion, pas dështimit të 11’të për konstituimin e Kuvendit.

    Haziri ka lënë të kuptohet se ende nuk i janë përgjigjur letrës së Kurtit, teksa theksoi se me dërgimin e kësaj letre është krijuar rrethanë e re politike, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se në letrën e Kurtit, ka edhe goditje për LDK’në. Ai tha se Kurti ka mundur të mos përmend “episode të caktuara”, duke aluduar për koalicionet që ka bërë kjo parti ndër vite.

    “z.Abdixhiku ka fillu konsultimet pasi është pranu letra, me të gjithë ne , deputetët, kryesia e organet e LDK’së. Nuk ka ndryshim në qëndrim. Me kohë do të përgjigjemi. Sonte duhet me prit që LDK me qenë e gatshme me reagu meqëm si cdoherë. Ne as nuk ngutemi, e as nuk vonohemi. Jemi duke e trajtu me seriozitet. LDK nuk vonohet, sepse kjo është situatë e ndjeshme”, ka deklaruar Haziri.

    Sipas Hazirit, në këtë letër qëllimi është më i qartë.

    “Nga sot paradite, me letrën e z.Kurti është rrethanë e re politike. Letra e dytë ka qenë letër e përbashkët për LDK’në dhe PDK’në. Letra e dytë ka qenë thirrje për koordinim në zbatim të procedurave. E ka trajtu çështjen e kryetarit të Kuvendit si procedurale.  Letra e sotshme dhe e parë që iu ka drejtu LDK’së e ka një frymë, një qëllim., por kësaj here është shumë me qartë, më eksplicite në qëllimin e vetë. Ka edhe ato goditjet që e fton LDK’në,…e godet LDK’në në rolin e vetë historik”, tha Abdixhiku në Klan Kosova.

    Ndryshe, Kurti i ka dërguar letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ku i ka kërkuar koalicion.

    “Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetët e LDK-së, së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike”, thuhet në letrën e Kurtit.

    Kurti në letër përmend dallimet politike mes dy subjekteve, por sipas tij koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime dhe i sugjeron kryetarit të LDK-së se mirë do të ishte të takohen e të flasin si “politikë të pjekur”.

    Kurti ia ka përmendur LDK-së të gjitha koalicionet e pasluftës.

    “LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK. Në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq me LVV.”, thuhet në letër.

    Kurti në letër thotë se mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i ishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato.

    Madje, Kurti në letër arsyetohet se prishja e koalicionit me LDK në vitin 2020 nuk ndodhi për shkak të mospajtimeve me Abdixhikun, por me “me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”, duke aluduar në Agim Veliun.

    “Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe.”, thuhet në letër./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!