Dyshime për joprofesionalizëm, shkelje të ligjit, e anshmëri në vendim, nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka ngritur Kryeministri në Detyrë Albin Kurti, në një shkresë drejtuar kryetares së kësaj Gjykate Arta Ramës, në lidhje me trajtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të dytë të ekzekutivit për kufizimin e lirë së lëvizjes së qytetarëve në kohë pandemie. Shkresa në fjalë është e pa precedent, ku shefi i ekzekutivit, i zgjedhur me mandat politik, revanshohet në akuza ndaj institucionit më të lartë juridik dhe të pavarur në vend, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shkon deri aty sa Kryeministri në detyrë në formë presioni kryetaren e Gjykatës Kushtetuese që t’i pranojë komentet e tij në lidhje me lenden, brenda 45 ditëve, e jo në afatin e paracaktuar nga Gjykata, me procedurë të shkurtuar.
Një shkresë jo të zakontë e ka pranuar Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, më 23 prill të këtij viti.
E interpretuar si “parashtesë në lidhje me mosrespektimin e afatit ligjor dhe Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese” nga vetë Gjykata Kushtetuese, në trajtimin e kushtetutshmërisë, nga kjo gjykatë, ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, si masë parandaluese në luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, shkresa në fjalë e nënshkruar nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti përmban akuza të rënda në lidhje me profesionalizimin e Gjykatës Kushtetuese në trajtimin e lendes.
Në të, Kurti pretendon se institucioni më i lartë juridik në vend, ka kryer edhe shkelje të ligjit të Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Madje, Kurti, ka shkuar aq larg, sa i thotë kryegjyqtares Rama se institucioni që ajo e udhëheq e ka vënë edhe nën presion Qeverinë që ai e drejton, “me njoftime të kundërligjshme”, që thotë se janë të papranueshme.
Në këtë shkresë, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, pretendon se Gjykata Kushtetuese shkeli dispozitat ligjore në lidhje me afatet e përcaktuara nga ligjdhënësi dhe shmangi aplikimin e një neni të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese.
“Këto dy shkelje ligjore të një rëndësie esenciale në një procedurë gjyqësore kushtetuese, arsyetohen si në vijim: Praktika e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës shpërfaq faktin se refuzimi për qartësim, saktësim apo plotësim të kërkesës së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese konsiderohet si shkak për refuzimin të kërkesës në procedurë të shkurtër, për shkak se pala nuk i ka plotësuar kriteret procedurale për shqyrtim të mëtutjeshëm”, thuhet në dokumentin e publikuar nga vetë Zyra e Kryeministrit në faqen zyrtare të Qeverisë.
Tutje, aty tregohet se Zyra e Kryeministrit kishte kërkuar nga Gjykata që afati për paraqitjen e komenteve ndaj lëndës së dërguar në Kushtetuese nga një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht deputetët e PDK-së më 17 prill, të mos jetë 23 prilli 2020, por kjo të bëhet pas 45 ditëve, që sipas shkresës është afati kushtetues që pala kundërshtuese të përgjigjet në kërkesë.
“Në lidhje me këtë, Qeveria vëren se bëhet fjalë për shkelje të dispozitave esenciale në lidhje me procedurën dhe afatet që duhet ndjekur nga dhe në Gjykatën Kushtetuese”, i shkruan Kurti-Rames.
“Prandaj këto shkelje të qarta të dispozitave juridike dhe vënia nën presion të Qeverisë me njoftime të kundërligjshme, është i papranueshëm”, pretendon shefi në detyrë i ekzekutivit në shkresën drejtuar kryetares së institucionit më të lartë juridik në vend.
“Për ne, refuzimi për të zbatuar rregullat e vendosura nga vet Gjykata Kushtetuese në rrethanat e rastit konkret, është shqetësim serioz në lidhje me profesionalizmin dhe paanshmërinë e Gjykatës”, thuhet në këtë dokument të drejtuar për institucionin që i garantohet supremitet dhe pavarësi me Kushtetutë të vendit.
“Ne nuk mund të sillemi në rastin konkret, sikurse parashtruesit kanë ndërtuar një kërkesë si duhet”, thuhet në një paragraf tjetër të shkresës, shkruan Reporteri.net.
Tutje, në shkresë Kryeministri në detyrë pretendon se komentet e saj, Qeveria që ai e udhëheq, do t’i dërgojë në Gjykatë Kushtetuese brenda 45 ditëve, që sipas tij është afat ligjor, e jo në datën e paracaktuar nga Kushtetuesja.
“Prandaj, Qeveria përmes kësaj parashtese e njofton Gjykatën se komentet e saj në lidhje jo vetëm meritat, por edhe pranueshmerinë e kërkesës, do t’i dërgojë brenda afatit ligjor. Po ashtu i kërkon Gjykatës që të mos privilegjojë parashtrueset e kërkesës në raport me qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë dokument, e ku më pas pretendohet se në rastet tjera të tilla, Kushtetuesja, ka refuzuar kërkesat për të njëjtat lëshime.
“Qeveria do të shqyrtojë me kujdes shkeljet ligjore të deritanishme dhe varësisht nga kualifikimi juridik i tyre do të ndërmarr veprimet e nevojshme të bazuara në legjislacionin në fuqi”, thotë shefi i shkarkuar i ekzekutivit në shkresën e tij për kryegjyqtaren e institucionit më të lartë ligjor në vend, Arta Ramen, të datës 23 prill 2020.
Shkesa në fjalë ka të bëjë për lenden e dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga deputetët e PDK-së, më 17 prill 2020, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Vendimi i datës 13 prill 2020, i prezantuar nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, hyri në zbatim dy ditë pas, pikërisht në ditën kur Qeverisë së Kosovës i përfundoi afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila disa javë më parë, më 31 mars të këtij viti, kishte vlerësuar se vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin e shpalli të pavlefshëm.
Gjykata kishte konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Vendimi i Kushtetueses hyri në fuqi më 13 prill të këtij viti, afat i përcaktuar nga vetë kjo gjykatë. /Reporteri.net/.