Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka dërguar letër kreut të VV-së, Albin Kurtit, si përgjigje ndaj letrës së Kurtit që ia dërgoi dje, ku i kërkoi bashkëpunim në qeverisje. Në letër Abdixhiku ka refuzuar një koalicion mes dy partive.
Në këtë letër Abdixhiku ka kërkuar që të bëhet një qeveri e tranzicionit dhe i ka përmendur arsyet përse nuk mund të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“LDK zgjidhjen dhe daljen nga kjo bllokadë e vlerëson si urgjente dhe të rëndësisë nacionale. Zgjidhja kërkon përgjegjshmëri, unitet dhe vetëdije të lartë politike nacionale në lidhje me rrethanat politike në vend dhe në skenën ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.
Mungesa e besimit e rrezikimi i aleancave dhe demokracisë, janë disa prej arsyeve përse nuk mund të bëhet bashkëpunimi mes dy partive.
“I nxitur nga konsiderata për votuesit tuaj, qytetarët e Republikës së Kosovës, ndjej nevojën që edhe nëpërmjet kësaj letre t’i përsërisë qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet që keni ngritur ju. Lidhja Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ka garuar me një program të qartë dhe me qëndrime të qarta sa i takon bashkëpunimit politik. LDK-ja për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4 vjeçar të vendit nën udhëheqjen tuaj, rrezikimin e aleancave strategjike, të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, mosrespektimin e vendimeve të këtyre institucioneve, mbi të gjitha polarizimin e thellë shoqëror, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me ju.”, thuhet në letrën e Abdixhikut.