×
  • Lajme
  • Lajme / Nga 1 qershori

    Liberalizimi i tregut të energjisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dorëzon padi kundër ZRrE’së

    Reporteri
    30 Maj 2025 | 17:22

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka dorëzuar padi kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë lidhur me vendimin për daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë nga 1 qershori, shkruan Reporteri.net. 

    Sipas DhTIK, vendimi i ZRrE-së është i nxituar, arbritrar dhe i papërgatitur mirë, me pasoja financiare për bizneset.

    “Vendimi është marrë pa konsultime paraprake me palët e interesit, pa një analizë të thelluar të tregut, dhe kjo pos që rrezikon qëndrueshmërinë e bizneseve, rrezikon edhe vendet e punës. Për më tepër, përkundër deklarimeve publike se tregu është liberalizuar dhe se janë të hapura mundësi të shumta për furnizim, aktualisht është vetëm një kompani – KESCO – e cila po dërgon oferta për furnizim të bizneseve. Kjo bie ndesh me vetë thelbin e liberalizimit dhe e shndërron këtë proces në një monopol të fshehur, duke rritur rrezikun për abuzim me çmime dhe cilësi të shërbimit”, thuhet në njoftim.

    Aty u bëhet thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për pezullimin e këtij vendimi.

    “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për pezullimin e këtij vendimi dhe të urdhërojnë ZRRE-në që të rikthehet në një proces të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës. DhTIK mbetet e përkushtuar për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, politike dhe publike për të siguruar një treg të energjisë të drejtë, të rregullt dhe të hapur për të gjithë”, thuhet në reagim.

    Bizneset kanë kërkuar shtyrjen e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Dje, bizneset kanë mbajtur një protestë dy orëshe, ku kanë bllokuar hyrjet kryesore të Kryeqytetit./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!