×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Liberalizimi i tregut të energjisë, PDK padit ZRrE-në

    Reporteri
    24 Qershor 2025 | 15:07

    Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë padi për anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri ka thënë se vendimi i marrë nga ZRrE-ja ka filluar të prodhojë pasoja të rënda e të pakthyeshme për mbi 1300 biznese, e që efektet e tij po rrezikojnë stabilitetin ekonomik të Kosovës.

    “Partia Demokratike e Kosovës, duke qëndruar besnike ndaj përgjegjësisë për të mbrojtur interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve të vendit, ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë për anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

    Ky vendim, i marrë në mungesë të një procesi të drejtë, të bazuar ligjërisht dhe gjithëpërfshirës, tashmë ka filluar të prodhojë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për mbi 1,300 biznese vendore dhe mbi 140 mijë punëtorë të këtyre ndërmarrjeve. Efektet e këtij vendimi po rrezikojnë seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit përmes rritjes së çmimeve, nxitjes së inflacionit dhe kërcënimit për falimentimin e një numri të madh të bizneseve”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

    Sipas Tahirit, PDK-ja ka kërkuar nga Gjykata pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij vendimi.

    “Në këtë proces, PDK ka vepruar si palë paditëse me legjitimitet të plotë ligjor, në mbrojtje të interesit kolektiv të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës. Vendimmarrja e Zyrës së Rregullatorit për Energji ka cenuar jo vetëm të drejtat ligjore të konsumatorëve që tejkalojnë qarkullimin prej 10 milionë euro në vit apo që punësojnë mbi 50 persona, por ka goditur edhe drejtpërdrejt interesin ekonomik të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Procedura paraprake e ndjekur pranë ZRRE-së e ka konfirmuar plotësisht shqetësimin tonë të kahmotshëm: ky institucion nuk ka nxjerrë asnjë vendim përfundimtar administrativ për liberalizimin e tregut, por ka përdorur një njoftim të thjeshtë, për të imponuar një detyrim të rëndë ndaj sektorit privat. Ky veprim është bërë në mënyrë të qëllimshme, me synim shmangien e kontrollit gjyqësor”, shkruan Tahiri.

    Tahiri thotë se presin që “gjykata të vlerësojë në mënyrë objektive kërkesën tonë për caktimin e masës së sigurisë dhe të ndalojë zbatimin e këtij vendimi derisa të vendoset përfundimisht mbi ligjshmërinë e tij”.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!