×
  • Lajme
  • Lajme / Energji

    Lidhja e Bizneseve thirrje Qeverisë: Pezullojeni vendimin për rritjen e çmimit të rrymës

    Reporteri
    22 Mars 2025 | 14:06

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës për 15%, duke thënë se është një vendim i papërgjegjshëm me pasoja të rënda për ekonominë dhe qytetarët.

    Sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës ky vendim i ZRrE-së, do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të rrezikshëm në të gjithë zinxhirin ekonomik të Kosovës.

    Postimi i plotë Lidhjes të Bizneseve të Kosovës:  

    Vendimin e ZRRE-së për Liberalizimin e Tregut të Energjisë dhe Rritjen e Çmimit me 15%

    Një vendim i papërgjegjshëm me pasoja të rënda për ekonominë dhe qytetarët

    Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të liberalizuar tregun e energjisë, i kombinuar me rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15%, do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të rrezikshëm në të gjithë zinxhirin ekonomik të Kosovës.

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka ngritur shqetësimin se ky hap, i ndërmarrë pa konsultim me komunitetin e biznesit dhe aktorët ekonomikë, do të ndikojë negativisht në sektorët kyç të ekonomisë: prodhimin, eksportin, punësimin dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

    Rritja e çmimit të energjisë me 15% – efekti zinxhir në ekonomi

    Rritja e çmimit të energjisë me 15% nuk është thjesht një rritje e faturave për bizneset dhe familjet – ajo do të ketë një efekt domino në të gjithë ekonominë.

    1. Kosto më e lartë për prodhimin dhe industrinë – Bizneset prodhuese që varen nga energjia elektrike do të përballen me rritje të menjëhershme të kostove të operimit, duke i bërë produktet e tyre më të shtrenjta.

    2. Rritje e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve – Duke qenë se bizneset nuk mund të përballojnë të gjitha kostot shtesë vetë, ato do t’i transferojnë këto kosto te konsumatori përmes rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.

    3. Rritje e çmimit të produkteve bazë – Produktet bazë si buka, mielli, vaji, sheqeri, qumështi, si dhe shërbimet e transportit dhe të tjera, do të shtrenjtohen. Kjo do të godasë drejtpërdrejt konsumatorët, veçanërisht shtresat me të ardhura të ulëta.

    4. Ulja e fuqisë blerëse dhe standardit të jetesës – Me rritjen e kostove të jetesës, qytetarët do të përballen me më pak të ardhura të disponueshme, duke reduktuar konsumin dhe duke ndikuar negativisht në ekonominë e brendshme.

    5. Humbje të vendeve të punës – Bizneset që nuk mund të përballojnë rritjen e kostove do të detyrohen të shkurtojnë vende pune, duke rritur papunësinë dhe pasigurinë ekonomike.

    Liberalizimi i tregut të energjisë – një tjetër barrë për bizneset

    Përveç rritjes së çmimit të energjisë, liberalizimi i tregut krijon edhe një problem tjetër madhor për bizneset. Sipas vendimit të ZRRE-së, nga 1 qershori 2025, rreth 1000 kompani të mëdha nuk do të mund të furnizohen më nga KESCO, por do të duhet të blejnë energjinë në tregun e hapur.

    Kjo do të thotë se:

    • Kompanitë nuk do të kenë qasje në energjinë e prodhuar nga KEK-u, por do të detyrohen të blejnë energji të importuar, me çmime të paktën dyfish më të larta.

    • Mungesa e një platforme të qartë dhe transparente për krahasimin e çmimeve nga furnizuesit do të krijojë pasiguri dhe rrezik abuzimi me çmimet.

    • Bizneset do të përballen me mungesë stabiliteti në furnizim dhe kosto të paparashikueshme, duke e bërë të vështirë planifikimin e investimeve dhe operacioneve të tyre.

    Favorizimi i tregtarëve të energjisë dhe ndikimi i oligopolit

    Vendimi i ZRRE-së favorizon drejtpërdrejt tregtarët privatë të energjisë, duke krijuar një treg ku fituesit e vetëm janë disa kompani të licencuara për tregti me energji. Këto kompani tashmë dominojnë tregun dhe kanë qarkullime të larta financiare, ndërsa bizneset prodhuese dhe konsumatorët janë humbësit kryesorë.

    Rreziku i largimit të bizneseve nga Kosova

    Me rritjen e kostove të operimit dhe pa një strategji për të mbrojtur prodhuesit vendorë, Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të rëndësishme të industrisë së saj prodhuese. Lidhja e Bizneseve ka paralajmëruar se vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, po ofrojnë kushte më të favorshme për bizneset prodhuese, duke i tërhequr ato drejt zhvendosjes së kapaciteteve të tyre jashtë Kosovës.

    Konkluzione dhe kërkesa urgjente

    Duke parë ndikimin e shumëfishtë negativ të këtij vendimi, Lidhja e Bizneseve kërkon nga ZRRE-ja dhe Qeveria që:

    1. Të pezullojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë dhe të shqyrtojë mundësi të tjera për të siguruar stabilitet në sektorin energjetik.

    2. Të shtyjë për të paktën dy vit liberalizimin e tregut të energjisë, duke ofruar më shumë transparencë dhe mundësi për furnizim të qëndrueshëm për bizneset.

    3. Të krijojë një platformë të hapur për krahasimin e çmimeve nga furnizuesit, duke i dhënë mundësi bizneseve të marrin vendime të informuara.

    4. Të heqë kufizimin prej 200 kW për instalimin e paneleve solare, duke i lejuar bizneset të investojnë në burime të qëndrueshme të energjisë.

    5. Të vendosë masa mbrojtëse kundër spekulimeve dhe abuzimeve nga tregtarët e energjisë, duke siguruar që liberalizimi të mos çojë në monopolizim të tregut.

    6. Të rishikojë politikat për mbështetjen e sektorit prodhues, duke krijuar lehtësira fiskale dhe stimuj për të ruajtur konkurrencën dhe investimet në Kosovë.

    Nëse këto masa nuk ndërmerren urgjentisht, Kosova rrezikon të hyjë në një krizë energjetike dhe ekonomike, ku qytetarët do të përballen me çmime më të larta dhe standard jetese më të ulët, ndërsa bizneset do të detyrohen të shkurtojnë investimet ose të largohen nga vendi, sepse më keto politika ata rrezikohen ta humbin tregun evropian më produktet e tyre!

    Qeveria dhe ZRRE-ja mos ta rrezikojnë stabilitetin ekonomik me vendimet e saj të njëanshme !

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!