×
  • Lajme
  • Lajme

    Ligji për Paga publikohet në Gazetën Zyrtare, presidentja e vendit me koeficientin më të lartin

    Reporteri
    05 Janar 2023 | 21:06

    Ligji për Paga, të cilin Presidentja Osmani e dekretoi të mërkurën e 4 janarit, është publikuar të enjten, sot, në Gazetën Zyrtare.

    I miratuar në lexim të dytë në dhjetor në Kuvendin e Kosovës, tashmë janë bërë publik edhe koeficientët e pagave për secilën kategori të punëtorëve të sektorit publik, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndonëse ende nuk u është përcaktuar shuma, sipas këtij ligji, koeficientin më të lartin (18.0) do ta ketë presidentja e vendit.

    Ky përcillet nga koeficienti për kryetarin/kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, (17.5), kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin (17.0), e kategori të tjera pasuese.

    Koeficientët e pagave për “funksionarët publikë” në nivelin qendror

    Në pikën 3 të nenit 7 të Ligjit, tregohet edhe se si do të bëhet llogaritja e pagës për punëtor.

    “Vlera e pagës bazë (v), për punën e kryer me orarë të plotë, llogaritet duke shumëzuar koeficientin për orë pune (x), me orët e realizuara përgjatë muajit (y), me vlerën monetare të koeficientit (z)”, bëhet e ditur në dokument.

    Sipas draft ligjit, ky ligj parashihet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

    Presidentja Osmani e dekretoi Ligjin për Paga të mërkurën.

    Këtë e konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net, këshilltari për media i zyres së Presidentes, Bekim Kupina.

    “Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, tha Kupina.

    Kategoritë që përfitojnë nga dekretimi i Ligjit të Pagave, që u bë dje nga Vjosa Osmani

    Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë më 22 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

    Projektligji i cili pati nxitur reagime për muaj me radhë, mori mbështetjen e shumicës së deputetëve, ku pro tij votuan 63 deputetë, ndërsa vota kundër nuk kishte pasur, por një abstenim nga Kryeparlamentari Konjufca.

    Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u deklaruan që nuk e votojnë këtë projektligj për shkak se ndër të tjera ende nuk dihet vlera monetare e koeficientit që përcakton pagat.

    Ndërsa, nga Partia Demokratike e Kosovës, deputeti Bekim Haxhiu kishte thënë se në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal kur po trajtohej ligji pagave, u shpërfillën amendamentet dhe kërkesat e sindikatave që marrin pagë nga buxheti i Kosovës. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!