×
  • Lajme
  • Lajme

    Lind mospajtimi i parë në mes të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit

    Reporteri
    05 Shkurt 2020 | 17:57

    Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë nisur bashkëpunimin që para zgjedhjeve dhe janë konsideruar si më meritorët për krijimin e koalicionit qeverisës në mes të VV e LDK. Deri këtu, ata dukej se pajtoheshin në çdo pikë, por vendosja e reciprocitetit po del të jetë mospajtimi i parë.


    Ishte Kurti që tha sot bindshëm se taksa do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet, masë kjo që sipas tij është më e fuqishme, shkruan Reporteri.net.

    “Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë, edhe për shkaqe historike dhe arsye aktuale. Ne jemi këtu që si qeveri e re edhe për zotimin tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet si zëvendësim për tarifën. Edhe LDK edhe VV, edhe zonja Osmani edhe unë, mbi 60 për qind të votave kanë qenë me parimin e reciprocitetit. Besoj se edhe ata që janë në opozitë mund të mos pajtohen për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë plotësisht dakord”, ka thënë Albin Kurti.

    Mirëpo, nuk mendon krejt ngjashëm kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila e vuri në pah kompleksitetin e kësaj çështje. Ndryshe nga Kurti që ishte e bindur se reciprociteti duhet të vendoset, Osmani ka thënë se duhet studim për këtë çështje.

    “Programi ynë qeverisës i ka trajtuar të dyja këto çështje, sa i përket zëvendësimit të tarifës me reciprocitet, është temë e diskutuar gjatë por është temë komplekse që kërkon studim edhe më të thellë edhe më gjithëpërfshirës sepse nuk prek vetëm punën e kryeministrit dhe qeverisë apo kuvendit, por nënkupton bashkëpunim edhe me shumë akterë të tjerë”, ka thënë Osmani.

    Madje, gruaja më e votuar në Kosovë shtoi se kjo çështje ka nevojë të studiohet pasi, siç mendon ajo, i prekë të gjitha marrëveshjet Kosovë-Serbi.

    “Çështja e reciprocitetit në masë të madhe prekë edhe 33 marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë prandaj duhet të studiohet se sa nga këto çështje janë pjesë e marrëveshjes dhe sa do të trajtohen në dialog tash e tutje. Unë nuk mund të jap datë se kur do të ndodh dhe më saktë mund tëthuhet nga qeveria, por kjo kërkon më shumë studim dhe më shumë gjithëpërfshirje. Vendimi politik është, taksa largohet dhe reciprociteti si vendim i marrëdhënieve të mira politike, do të hyjë në fuqi”, shtoi ajo.

    Sidoqoftë, nga partia e Ramush Haradinajt, njeriut që e vendosi taksën, po konsiderohet si gabim historik heqja e saj. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se me këtë gjë Kurti po i bën mirë Serbisë.

    “Taksa është vendos për shkak të fushatës agresive që Serbia ka përdor kundër Kosovës. Është gabim historik heqja e taksës, përderisa nuk kemi njohje reciproke. Zotëri Kurti, po dërgon lajme të mira për Serbinë e të këqija për prodhuesit e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Ndërkohë, heqjen e taksës e ka kërkuar me ngulm njeriu i Donald Trump, Richard Grenell, që në ditën e parë të Qeverisë. Ai shtoi se nevojitet fokusim në dialogun me Serbinë. Përveç që kërkoi ta hiqet taksa, Grenell nuk është deklaruar për reciprocitetin, të cilën gjë e kundërshton Serbia poashtu./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!