Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, ka konfirmuar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për krijimin e linjës ajrore ndërmjet këtyre vendeve, është nënshkruar me bekimin amerikan.
Ai me anë të një shkrimi në Twitter ka përshëndetur përfaqësuesit e të dyja vendeve, e po ashtu i ka thurur fjalë miradie presidentit amerikan, Donald Trump, shkruan Reporteri.net.
Ambasadori Grenell e ka konfirmuar kështu se kjo linjë është një projekt amerikan në drejtim të normalizimi të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Presidenti Donalnd Trump edhe një herë na udhëhequr në një fitore historike. Kosova dhe Serbia sot kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e linjës së parë ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pas 21 viteve. Faleminderit Lufthansa, NATO, Robert O’Brien dhe udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Grenell.
Ndërkohë, marrëveshjes i janë gëzuar Jens Stoltenberg, shef i NATO-s, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndryshe, Kosova e Serbia kishin pasur mospajtime të mëdha lidhur me hapësirën ajrore, problem i cili është zgjidhur së fundmi./Reporteri.net