12 persona, prej tyre 10 të mitur, të cilët u ndaluan nga Policia e Kosovës pasi hynë në Mitrovicën e Veriut me vetura dhe flamuj shqiptar, janë liruar.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.
Elshani njoftoi se janë shqiptuar gjithsej katër tiketa – tri për mungesë të patentë shoferit dhe një pasi në një automjet të llojit ‘pickup’ janë hasur më shumë pasagjerë se sa është e lejuar.
“Janë ndaluar 12 persona, 10 të mitur, dyshohet se me flamuj shqiptarë kanë hyrë në Mitrovicë të Veriut. Dyshohet se disa serbë më pas i kanë sulmuar me gurë. I kemi ndalu dy vetura, në njërën veturë kanë qenë pesë të mitur. Në veturën tjetër kanë qenë shtatë persona. Pas përfundimit të procedurave tona që të gjithë 12 personat janë liru, ndërsa janë shqiptuar gjithsej 4 tiketa. 3 për mungesë të patentë shoferi (2 nga ta të mitur) dhe 1 për më shumë persona në automjet se sa që është e lejuar pra, 7 persona në një ‘pickup’” – ka thënë Elshani.
Dje në mbrëmje 12 persona, prej tyre dhjetë të mitur, janë ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimet se me vetura, që kishin simbole kombëtare kanë hyrë në qytetin e Mitrovicës së Veriut. Të njëjtit janë ndaluar për shkak të kundërvajtjes në trafik – mos pajisje me dokumente përkatëse dhe tejkalimit të numrit të pasagjerëve në një veturë. Sipas Veton Elshanit, të njëjtit kanë hyrë me vetura në qytetin e Mitrovicës së Veriut ku më pas kanë hasur në sulme me gurë nga qytetarët serbë.