×
  • Lajme
  • Lajme

    Lirohen katër të akuzuarit për përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë

    Reporteri
    17 Qershor 2022 | 10:06

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Gramos Shabani, Edona Haliti, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu u liruan nga akuzat për përgatitje të sulmeve terroriste në diskoteka, kisha dhe kundër KFOR-it.

    Aktgjykimi lirues ndaj Shabanit, Halitit, Ademaj dhe Musliu u shpall të mërkurën nga gjykatësi Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas gjykatësit Kuçi të akuzuarit në mungesë të provave lirohen nga aktakuza për shkak e nuk është vërtetuar se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

    Shpenzimet e procedurës bien mbi barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës.

    Ndërsa, palët e pakënaqura kanë të drejtë të ushtrimit të ankesës kundër këtij aktgjykimi në afatin ligjor prej 15 ditësh nga momenti kur pranohet në formë të shkruar.

    Ndryshe, i akuzuari Albert Ademaj ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, për moslajmërim të veprave penale, ku për të njëjtën vepër penale si dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, i akuzuari Leotrim Musliu ishte dënuar me dënim unik prej dy vjet e tre muaj burgim.

    Por, pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte vendosur që t’ia ashpërsojë dënimin të akuzuarit për rekrutim në terrorizëm, Gramos Shabani, i cili nga 6 vjet burg, sa ishte dënuar nga shkalla e parë, Apeli ia kishte ashpërsuar dënimin në 8 vjet burg.

    Po ashtu, Apeli kishte vendosur që Shabani bashkë me bashkëshorten e tij, Edona Haliti, gjithashtu e akuzuar në këtë rast, të rigjykohen për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, për të cilën vepër, të dy ishin dënuar nga shkalla e parë.

    Apeli i kishte anuluar dënimet edhe ndaj të akuzuarve, Leotrim Musliu dhe Albert Ademaj, duke vendosur që të njëjtit të gjykohen sërish lidhur me veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryetësve të tyre”, për të cilën ishin shpallur fajtorë nga shkalla e parë. Ndërsa, Musliut i është vërtetuar dënimi i shqiptuar sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 tetor 2018, të akuzuarit Bujar Behrami e Resim Kastrati, akuzoheshin se gjatë periudhës kohore nga muaji dhjetor 2017 e deri më 29 qershor 2018, kishin përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

    Sipas prokurorisë, i akuzuari Bujar Behrami ka tentuar ta krijojë grupin me emër “Ndihmëtarët e Shtetit Islam në tokën e shqiponjave”, për të vepruar në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

    Sipas aktakuzës, veçmas janë përgatitur sulme terroriste në diskotekat “Insomnia” dhe “Kamboxha” në Graçanicë, si dhe ndaj kishës ortodokse afër kafenesë “Moskva”, në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe vende të tjera të frekuentuara me qytetarë.

    Në aktakuzë thuhet se Resim Kastrati ishte angazhuar në drejtim të furnizimit me armë zjarri dhe materiale plasëse, si dhe gjetjen e personave për vendosjen e jelekëve me eksploziv.

    Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte dy të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK – së.

    I akuzuari Bujar Behrami, sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë muajve prill – maj të vitit 2018, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste në Kosovë, gjatë komunikimit me personin e quajtur Mursel Murseli nga Gjermania, ka dërguar mjete financiare për të dyshuarin Resim Kastrati, me qëllim të blerjes së materialeve eksplozive dhe armëve të zjarrit.

    Në aktakuzë thuhet se, në datat 20 prill 2018, 24 prill 2018 dhe 14 maj 2018, përmes institucioneve për transferimin e parave “Money Gram” dhe “Ëestern Union”, tërthorazi ka dërguar shumën e të hollave prej 2,629.45 euro, 3,117.01 euro dhe 3,255.00 euro (gjithsej 9,001.46 euro), në emër të personit të quajtur Petrit Gashi, e që edhe të njëjtat transaksione me implementimin e masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit janë konfirmuar nga vet i dyshuari Behrami.

    Me këtë, sipas prokurorisë, Bujar Behrami, ka kryer veprën penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, nga neni 138, par. 1 i KPRK – së.

    Aktakuza e ngarkon edhe Gramos Shabanin me veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144, par. 3, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, nga neni 136, par. 1 i KPRK-së.

    Kjo sepse sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 2 qershor 2018, i akuzuari Gramos Shabani, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë, meqë është edhe shtetas belg.

    Sipas prokurorisë, ai ka planifikuar sulm vetëvrasës me eksploziv në vende të frekuentuara me qytetarë, e që me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, përkatësisht monitorimin e bisedave ne vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës – DKT, në Prishtinë, më 5 qershor 2018, i njëjti arrestohet.

    Po ashtu, vazhdon aktakuza, Gramos Shabani, më 2 qershor 2018, me dashje direkte i ka bërë thirrje bashkëshortes së tij Edona Haliti nga Hajvalia, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke e udhëzuar që të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet, ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe në vendet e tjera të frekuentuara me qytetarë, e duke e planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materiale eksplozive, me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

    Për këto veprime, prokuroria e ngarkon me veprën penale “Rekrutimi për terrorizëm”, nga neni 139 i KPRK-së.

    E akuzuara Edona Haliti, sipas prokurorisë, gjatë muajit maj e deri më 2 qershor 2018, duke vepruar sipas udhëzimeve të të akuzuarit Gramos Shabani, është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë, si dhe në vende të tjera të frekuentuara me qytetarë, duke u furnizuar me armë të zjarrta dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

    Për shkak të këtyre veprimeve, aktakuza e ngarkon Edona Halitin me veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144, par. 3, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 i KPRK-së.

    Dy të akuzuarit e tjerë, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, prokuroria i akuzon se nga muaji dhjetor 2017, e deri më 29 qershor 2018, në Prishtinë dhe vende të tjera në Kosovë, edhe pse kanë qenë në njohuri dhe të informuar se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitë akte terroriste në Kosovë, nuk i kanë lajmëruar në polici për veprimet inkriminuese të veprave penale nga kapitulli XIV – veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144, par. 1, lidhur me veprën penale nga neni 136, par. 1 i KPRK-së.

    Me këtë, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, sipas aktakuzës, kanë kryer veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, nga neni 386, par. 1, nënparagrafi 1.4 i KPRK-së.

    Të akuzuarit Leotrim Musliu, i vihet barrë edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

    Kjo sepse, sipas aktakuzës, në kohë të pavërtetuar, pa leje valide, e në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, i akuzuari Musliu, ka siguruar dhe mbajt në pronësi armë të zjarrit – pushkë automatike, që me rastin e bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse nga ana e Policisë së Kosovë, e njëjta, bashkë me municion, i janë sekuestruar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!