×
  • Lajme
  • Lajme

    Lirohen për në shtëpi një pjesë e të kthyerve nga Siria, Reporteri.net sjell pamje

    Reporteri
    22 Prill 2019 | 23:55

    Disa nga 106 gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria që për tre ditë janë mbajtur në qendrën e të huajve në Vranidoll të Prishtinës, janë lejuar të shkojnë në shtëpitë e tyre. Ata u janë dorëzuar familjarëve të tyre, të hënën pasdite.


    Familjarët e disa prej grave dhe fëmijëve të kthyer nga Siria kanë marrë me vete në shtëpi, disa prej tyre.

    Ndërkohë, në qendër vazhdojnë të mbahen edhe disa gra të tjera, të cilat ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e riatdhesimit dhe hetimet tjera të nevojshme, shkruan Reporteri.net.

    Nëntë fëmijët të cilët në Kosovë janë kthyer pa prindër, të cilët besohet se u janë vrarë gjatë luftimeve në Siri, janë dërguar në qendrat sociale për përkujdesje të mëtutjeshme.

    Reporteri.net ka siguruar edhe pamje të momenteve të lirimit të disa grave nga “kampi” në dalje të Prishtinës ku qëndruan për tre ditë, dhe bashkimit të tyre me familjarë të tjerë.

    Gazeta Online “Reporteri.net” të hënën ka raportuar se 32 gratë e veja që të premten u kthyen nga kampet e luftës në Siri, gjatë gjithë ditës janë intervistuar nga hetuesit kosovarë. Disa prej tyre edhe në cilësinë e të dyshuarve për pjesëmarrje në luftërat e huaja dhe bashkëngjitje të grupeve terroriste.

    “Reporteri.net” ka marrë vesh se shumica prej këtyre grave në deklaratat e tyre kanë pretenduar se nuk kanë qenë në dijeni për luftën në Siri, kur janë nisur për atje.

    Gratë e kthyera nga Siria ua hedhin fajin burrave të tyre të vrarë: Na thanë se po shkonim në Gjermani, e na çuan në luftë

    Madje, nga burime brenda autoriteteve të sigurisë, Reporteri.net ka mësuar se disa nga këto gra të kthyera në Kosovë kanë pohuar se para se të merrnin rrugën për në ISIS, burrat e tyre u kishin thënë se po niseshin për të shkuar në vende të Europës Perëndimore. Kryesisht, ato kanë përmendur Gjermaninë si cak të shkuarjes, në momentin kur ishin larguar nga Kosova, disa para katër e të tjera para tre vitesh.

    Pos intervistimit nga hetuesit kosovarë, të kryera në prani të avokatëve, gratë e xhihadistëve shqiptarë të vrarë në Siri, tashmë të kthyera në Kosovë, gjatë mbajtjes në qendrën për të huajt në Vranidoll të Prishtinës, në këtë “kamp” janë konsultuar edhe me psikologë.

    Atyre, Policia qysh nga e premtja e kaluar e deri më sot u ka ofruar 24 orë siguri. Në shërbim të tyre kanë qenë edhe mjekët dhe kujdestarët e tjerë. Derisa, zyrtarët e Institutit kombëtarë për Shëndetësi Publike u kanë bërë analizat shëndetësore të të kthyerve.

    Ndryshe, Reporteri.net ka raportuar të premten ekskluzivisht për operacionin e kthimit të 110 kosovarëve (32 gra dhe 74 fëmijë) nga kampet e luftës siriane – përshirë këtu edhe katër luftëtarë të ISIS-it të cilët tashmë ndodhen në paraburgim.

    Siç ka raportuar Gazeta Online “Reporteri.net”, operacioni i kthimit të këtyre kosovarëve në vendlindje është kryer me një avion ushtarak të SHBA-ve, që të premten rreth orës 23:00 ateroi nga Stambolli në Prishtinë.

    Ndryshe, prej vitit 2012, të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 400 kosovarë i janë bashkuar vatrave të luftës në Siri e Irak, përkrahë organizatave terroriste ISIS e Al-Nussra. Rreth 80 prej tyre raportohet të jenë vrarë. Një pjesë e tyre janë kthyer në Kosovë. Ndërkohë se njoftohet se 30 luftëtarë nga Kosova vazhdojnë të qëndrojnë aktivë në ISIS, krahas 49 grave dhe tetë fëmijëve tjerë kosovarë që kanë mbetur ende në disa kampe siriane. /Reporteri.net/.

    Gjithçka çfarë ndodhi mbrëmë në aeroportin e Prishtinës – si u sollën në Kosovë mbi 100 gra dhe fëmijë të xhihadistëve shqiptarë të vrarë në Siri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!