Partia me dy kryetarë, Lista “Guxo” të enjten ka mbledhur anëtarësinë vetëm një javë pasi gazeta online Reporteri.net publikoi sondazhin e UBO-s në të cilin “Guxo” kishte vetëm 0.6 për qind.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryetarja Donika Gërvalla mbledhjen e ka cilësuar si tubim madhështor.
“E ardhmja iu takon atyre që guxojnë. Nga ky tubim madhështor përçuam mesazhin se jemi gati, optimistë dhe të përgatitur për çdo sfidë”, ka shkruar Gërvalla.
Guxo është në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Gjatë zgjedhjeve të shkurtit 2021 garoi brenda listës së partisë së Albin Kurtit.
Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta online Reporteri.net, Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind. PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.
Partia me dy kryetarë, Lista “Guxo” vazhdon të jetë e pavërejtshme edhe në këtë sondazh, me 0.6 për qind.