Rezultatet preliminare të DnV-së për zgjedhjet në katër komunat, tregojnë se të katër komunat janë fituar bindshëm nga kandidatët e Listës Serbe.
Rezultatet preliminare të DnV-së për 85% të vendvotimeve të numëruara janë:
Mitrovicë e Veriut:
Lista Serbe, Goran Rakic (95.2%)
Partia Demokratike e Kosovës, Gonxhe Çaushi (3.1%)
Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq (1.6%)
Zubin Potok:
Lista Serbe, Srdjan Vulovic (94.1%)
Partia Demokratike e Kosovës, Hysen Mehmeti (3.1%)
Lëvizja Vetëvendosje, Liridona Kahrimani (2.8%)
Leposaviq:
Lista Serbe, Zoran Todic (96.4%)
Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Hetemi (2.1%)
Lëvizja Vetëvendosje, Fisnik Veseli (1.5%)
Zveçan:
Lista Serbe, Vucina Jankovic (96.4%)
Lëvizja Vetëvendosje, Avdi Peci (2.2%)
Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Peci (1.4%)
“Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka vëzhguar tërë procesin zgjedhor për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Të gjitha vendvotimet janë mbyllur me kohë. Në bazë të raportimeve nga terreni, dalja e votuesve deri në mbylljen e vendvotimeve në 19:00 është 39% nga 85% e vendvotimeve të proceduara”, thuhet në komunikatën e DnV-së.
Paralajmërimi i deputetit…
Por sot gjatë ditës, deputeti i NISMA për Kosovën Zafir Berisha ka paralajmëruar se kryetarët e rinj do të dorëhiqen sërish.
“Nga zgjedhjet që po organizohen sot në veri të vendit, sipas paralajmërimeve, kryetarët e rinj pritet të dorëhiqen menjëherë pasi ta marrin zyrtarisht detyrën!!!”, ka shkruar në Facebook deputeti Berisha.
Ai ka një mesazh për presidentin Hashim Thaçin dhe kryetaren e KQZ-së Valdete Daka veç nëse ndodhë kjo.
“Presidenti, KQZ por edhe organet tjera institucionale, duhet të jenë të gatshëm që nëse loja e Listës Serbe për të injoruar, tallur dhe sabotuar shtetin e Kosovë vazhdon, atëherë duhet t’i ndalohet fushëveprimi këtij subjekti politik dhe të mos lejohet të merr pjesë në zgjedhje… Boll më, Kosova nuk është objekt eksperimental as edhe objekt talljesh”, ka shkaruar Berisha sot gjatë ditës ndërsa mbahej procesi zgjedhor në komunat veriore.
Kutjojmë se katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, dhanë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.
Të katër komunat në veri të vendit janë udhëhequr nga Lista Serbe. /Reporteri.net/.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën Veriore – PDK 402 vota, VV 294