Lista Serbe ka theksuar se deklaratat se deputetë të saj do ta votojnë Qeverinë Kurti “janë gënjeshtër e pastër”, shkruan Reporteri.net.
Sipas tyre, për një gjë të tillë janë të vetëdijshëm edhe Vetëvendosje, ndërsa thonë se “gënjeshtrat që i postojnë dukshëm i shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme”.
“Duke marrë parasysh deklaratat që vijnë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kurtit, publikisht dëshirojmë të theksojmë se mbështetja e pretenduar për përfaqësuesit e Listës Serbe është gënjeshtër e pastër. Ndoshta është dëshira e tyre, një insinuatë apo diçka e tretë, por e përsërisim qartë dhe publikisht se nuk është e vërtetë”.
“Ne jemi absolutisht të sigurt se për këtë janë të vetëdijshëm edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes, por gënjeshtrat që i postojnë dukshëm i shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme, prandaj i refuzojmë publikisht”, thuhet mes tjerash në reagimin e Listës Serbe në Faceebook.
Ky reagim i Listës Serbe vie pasi Kryetarja e “GUXO”, Donika Gërvalla-Schwarz tha se ekziston rreziku që deputetë të Listës Serbe të votojnë Qeverinë Kurti, për ta diskredituar koalicionin.
“Është një paralajmërim që mund të ketë një ndarje të Listës Serbe edhe mund të ketë një pjesë të tyre që për të diskredituar para opinionit shqiptar në Kosovë këtë koalicion, japin votën të cilën s’ua ka kërkuar askush. Në duhet ta përgatisim opinionin se kjo mund të ndodhë. Mirëpo, nuk ka asnjë bashkëpunim. Nuk ka asnjë negociatë”, ka deklaruar Gërvalla për Tëvë1.
Katër votat e Listës Serbe u përmenden fillimisht në një mesazh që Elbert Krasniqi ia kishte dërguar një personi me inicialet “A.K”, ditën e djeshme gjatë seancës konstituive, iniciale këto që korrespondonin me ato të Albin Kurtit.
“4 vota Listës Serbe na votojnë Qeverinë”, shihej t’i ketë shkruar Krasniqi.
Elbert Krasniqi komunikon me “A.K”, ia përmend katër vota nga Lista Serbe
/Reporteri.net/