Lista Serbe ishte e ftuar në takimin që presidentja Osmani dje kishte me përfaqësuesit e partive politike shqiptare, e më pas edhe me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Nga Presidenca kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se Lista Serbe ka qenë e ftuar në takimin e Osmanit me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, por nuk ka marrë pjesë.
“Lista Serbe ka qenë e ftuar në takim konsultativ me subjektet politike të komuniteteve joshumicë, porse nuk ka ardhë”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.
Takimi u mbajt për zhbllokimin e ngërçit politik, i shkaktuar nga dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tre muaj pas zgjedhjeve.
Osmani pas takimit tha se nuk ka pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se ka parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Presidentja Osmani paralajmëroi se duke filluar nga java e ardhshme, mund t’i takojë edhe ndaras secilin lider nëse ka nevojë. Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.
“Kam shprehur gatishmërinë pas diskutimeve që të shohim rrugën përpara në qoftë se është e nevojshme, mirëpo për momentin mendoj që duhet të vazhdojnë përpjekjet për krijim me vetë vullnetin e partive, Nëse zvarritet shumë, janë disa opsione. Një opsion është vetë deputetët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Mënyra tjetër është që unë si president ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë presidentja Osmani.
Kujtojmë se ditën e djeshme, për herë të 16-të nuk ka arritur të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, saktësisht një muaj më parë.
Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/