×
  • Lajme
  • Lajme

    Limaj paralajmëron takim me partnerët e koalicionit pas vendimit të Kushtetueses

    Reporteri
    29 Qershor 2019 | 14:49

    Kreu i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, në një konferencë për media është deklaruar rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të shpallur jokushtetues Ekipin Negociator për Dialogun.


    Limaj ndër të tjera ka thënë se si parti e respektojnë vendimin e Kushtetueses, dhe ka paralajmëruar një takim mes krerëve të koalicionit qeverisës në lidhje me këtë vendim, shkruan Reporteri.net.

    “Dua të them që unë personalisht dhe si Nismë e respektojmë vendimin e Kushtetueses me opinionet e saj dhënë për Ligjin për Kompetencat e Delegacionit Shtetëror për Dialogun. Siç e dini pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka pasur zhvillime të reja, përfaqësuesit e opozitës, në këtë rast PSD-së, bashkëkryesuesi Ahmeti dhe anëtarët e tjerë të partisë janë dorëhequr. Ky është një zhvillim i ri pas vendimit. Mes dy këtyre zhvillimeve unë dua të shfrytëzoj rastin t’i ftoj partnerët e koalicionit, të bashkëbisedojmë për këto zhvillime të fundit. Dua t’i dëgjoj ata si e vlerësojnë dhe si e shohin hapat pas kësaj teme. Pasi t’i dëgjojmë ata, ne si NISMË do të marrim vendimin e duhur se si do të ecim më tutje”, është shprehur Limaj.

    Ai ndër të tjera ka thënë se Komisioni ka bërë një punë të jashtëzakonshme, me aq sa ka pasur përgjegjësi.

    “Komisioni ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Delegacioni i ka kryer punët e veta me aq sa ka pasur përgjegjësi. Delegacioni nuk është jokushtetues, shikoni ligjet, ligji për delegacionin është antikushtetues”, është shprehur ndër të tjera Limaj.

    I pyetur nga gazetarët se a duhet të dorëhiqet qeveria pas këtij vendimi, Limaj është shprehur se aktualisht janë disa procese shumë të rëndësishme për vendin që duhet çuar para.

    “Për mua shqetësimi kryesor aktualisht është si me i drejtu proceset e vendit tonë si me e rujtë pozicionin e Kosovës. Pa bashkëpunim mes spektrit politik nuk mund të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Apeli im është që kur bisedohet për interesa nacionale, duhet t’i lëmë anash kalkulimet partiake, egot personale. Kjo është ajo që duhet të jetë prioriteti kryesor i çdo partie politike. Përplasjet e kryeministrit dhe presidentit tregojnë më së miri se sa është e nevojshme të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje”, është shprehur Limaj. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!