Java që vjen siç duket, do të jetë shpresa e fundit për arritjen e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këto dy parti u takuan dhjetëra herë, me qëllim të dakordimit të qëndrimeve. Ajo çka mbeti pengesë për një koalicion të mundshëm VV-LDK, ishin pakënaqësitë për pozitën e Presidentit.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në kohën e para zgjedhjeve të 6 tetorit, kishte deklaruar se pengesë për arritjen e marrëveshjes ishte pozita e kryeministrit.
“Posti i kryeministrit është ai që po e zhagit këtë proces edhe ndoshta e pamundëson marrëveshjen”, kishte deklaruar ai.
Pas 6 tetorit kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para, ‘lufta’ mes këtyre dy partive po bëhet për postin e Presidentit.
LDK ka ngulur këmbë dhe po e kërkon tani në mënyrë të padiskutueshme që pas 1 viti e gjysmë, kur do të zgjedhet edhe Presidenti i ri i vendit, ta bëj propozimin e saj.
Për takimin e radhës mes këtyre dy partive akoma nuk është caktuar ndonjë datë ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, nesër ka caktuar të mbaj mbledhjen për t’i diskutuar rrjedhat e deritanishme.