×
  • Lajme
  • Lajme / Pakënaqësitë

    “Lufta” e vazhdueshme e Ministres Haxhiu me Gjykatën Kushtetuese dhe Prokurorinë Speciale

    Reporteri
    29 Korrik 2024 | 16:07

    Ministrja e Drejtësisë ka vazhduar kritikat edhe sot ndaj Gjykatës Kushtetuese, e kësaj radhe për vonesën siç tha ajo të publikimit të aktgjykimit për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndonëse kjo kritikë fillimisht nisi nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, por u vazhdua nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e e cila tha se vonesat e tilla vetëm se janë goditje e radhës nga Gjykata për reformën dhe qytetarët.

    “Edhe sa ditë të tjera i duhen Gjykatës Kushtetuese? Kanë kaluar më shumë se një muaj nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme por ende nuk është publikuar Aktgjykimi i plotë. Rrjedhimisht, po bëhen 518 ditë prej kur Gjykata e ka në trajtim këtë reformë të rëndësishme. Vonesat e tilla vazhdojnë të jenë goditja e radhës ndaj reformës dhe qytetarëve”, shkroi sot Haxhiu në Facebook.

    Por, “pakënqësitë” e saj me Kushtetuesen, Ministrja i pati edhe në muajin qershor, kur dhe deklaroi se “një grusht njerëzish ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër”. Kjo deklaratë e saj kishte ardhur pasi Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar Ligjin për Byronë shtetërore dhe pasurinë e pajustifikueshme, duke i dhënë të drejtë kështu Partisë Demokratike të Kosovës.

    Ani pse kritikat e pushtetit karshi Gjykatës Kushtetuese janë të vazhdueshme, Ministrja e Drejtësisë edhe javën e kaluar pati kritika për një institucion të drejtësisë, ndaj Prokurorisë Speciale.

    Kjo krejt pasi javën e kaluar ajo ishte ftuar për intervistim rreth disa deklaratave të dhëna në një emision si dhe një tjetre në një postim të bërë në Facebook, rreth vrasjes së Faton Hajrizit, gjë për të cilën kishte ngritur dyshime.

    2 orë e gjysmë intervistim, Haxhiu: Prokuroria Speciale po tenton të më pengoj në punën time

    Pas një intervistimi dy ditor nga Prokuroria Speciale, Ministrja kishte thënë se ky institucion po tenton ta pengojë atë të kryej punën e saj vazhdimisht, pasi po merret në pyetje nga ta, përmes autorizimit të policisë.

    Madje, të nesërmen e asaj dite, Ministrja kishte ironizuar me Prokurorinë Speciale, duke thënë se “uron që të mos e ftojnë për intervistim”, pas një postimi që kishte bërë në Facebook nga mbledhja e qeverisë për ndryshimet që ishin miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 24 korrik, gjë që mundësonte që pronat e kryeterroristit Milan Radoiçiq t’i kalojnë në shfrytëzim dhe menaxhim institucioneve të sigurisë në vend.

    /Reporteri.net/

    Haxhiu ironizon me Prokurorinë Speciale: Uroj qy ky status nuk do të prodhojë edhe një autorizim për marrje në pyetje

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!