Një ditë pas intervistimit nga Gjykata Speciale, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, ka dalë me një deklaratë ku thotë se është krenar për gjithçka që ka bërë për vendin.
Ai ka falënderuar edhe ata që e mbështetën dhe e u interesuan për të.
“Jam krenar për gjithçka çfarë kam bërë për vendin tim, liria e të cilit erdhi pas luftës dhe sakrificës së mijëra dëshmorëve e martirëve të cilët ranë gjatë luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-1999. Në kërkim të Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë, ne shqiptarët kemi paguar çmim të lartë. Drejtësisë nuk i kemi ikur asnjëherë sepse lufta jonë ishte luftë për liri, barazi e demokraci”, ka shkruar ai.
Lushtaku, i cili është edhe nënkryetar i Skënderajt, dje është intervistuar nga Specialja në zyrat e EULEX.
I biri i tij deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku mbrëmë bëri të ditur për gazetën online Reporteri.net se babait të tij është konfiskuar vetëm telefoni.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Dëshiroj të ju falënderoj përzemërsisht për interesimin dhe mbështetjen e madhe pas zhvillimeve të ditës së djeshme, të cilat kanë mundur të shkaktojnë shqetësime tek secili prej jush.
Gjatë gjithë jetës sime jam munduar të punoj me nder, duke pasur në rend të parë interesin e vendit dhe popullit tim.
Jam krenar për gjithçka çfarë kam bërë për vendin tim, liria e të cilit erdhi pas luftës dhe sakrificës së mijëra dëshmorëve e martirëve të cilët ranë gjatë luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-1999.
Në kërkim të Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë, ne shqiptarët kemi paguar çmim të lartë. Drejtësisë nuk i kemi ikur asnjëherë sepse lufta jonë ishte luftë për liri, barazi e demokraci.
Kjo është e vërteta jonë!
Jam mirënjohës përjetësisht ndaj secilit prej jush e kështu do të jemi bashkë gjithmonë!