LVV-LDK, takohen sot në përpjekje për arritjen e koalicionit qeverisës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa do të takohen edhe sot në përpjekje për arritje të koalicionit qeverisës.


Megjithatë, fillimisht LDK ka thirr mbledhjen e kryesisë së partisë, e cila do të nis në ora 11:00.

Ndryshe, përfaqësues të këtyre partive dje kanë deklaruar se kanë parë avancim të pozicioneve të tyre drejt një marrëveshje.

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i intensifikojnë takimet si përpjekje për arritje të koalicionit qeverisës, tash kur kanë mbetur edhe dy javë deri në seancën konstituive.

Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se janë dakorduar që ti vazhdojnë takimet në baza ditore.

Edhe deputeti i LVV-së Glauk Konjufca ka thënë se do të vazhdojnë takimet.

“Ishte një takim shumë i rëndësishëm, në përpjekje të gjetjes së një marrëveshje të përbashkët për koalicionin qeverisës. Ngase kemi parë avancim të pozicioneve, u pajtuam që takimet të jenë më të shpeshta”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se nesër do të ketë takim dhe se marrëveshja shpreson të arrihet para 26 dhjetorit, që është caktuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për konstituim të Kuvendit të Kosovës.