×
  • Lajme
  • Lajme / Letra

    Macron uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë: Perspektiva evropiane e Kosovës, duhet të rikonfirmohet

    Reporteri
    16 Shkurt 2025 | 19:37

    Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, ka uruar Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.

    “Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e Macron.

    “Në këtë drejtim, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një Përfaqësuesi të ri special të Bashkimit Evropian duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Macron.

    Më tej, në urim shfaqi shpresën që të dy shtetet të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.

    “Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë”, thuhet në urim.

    Në këtë urim, Presidenti Macron ka falënderuar Presidenten Osmani për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame.

    “Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij, Presidenti Macron.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!