Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë besuar Kosovës që të jetë pjesë e ushtrimeve dhe njëherit nikoqire e “Defender Europe 25”.
Maqedonci ka deklaruar të hënën se Kosova aktualisht është në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në në aspektin e mbrojtjes.
“Janë 25.000 trupa ushtarake nga 29 vende të NATO-s, e në zonën ku merr pjesë edhe Kosova do të jenë 12.000 trupa që do të jenë nga 19 vende të NATO-s dhe vende partnere. Kjo është arritje jashtëzakonshme për vendin tonë, pasi jemi pjesë e ushtrimit, vend nikoqir mes 18 shteteve. Veçantia e kësaj është që SHBA-ja ka besuar në Republikën e Kosovës që të jetë nikoqire edhe e komandës që do t’i drejtojë të gjitha ushtrimet dhe aktivitetet në rajonin e Ballkanit”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka shtuar tutje se përgatitjet për këtë ushtrim masiv ushtarak janë bërë tash e një vit.
“…Besoj se tani jemi në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në, në aspektin e mbrojtjes. Pika më e lartë që vendi ynë ka pasur me SHBA-në…”, u shpreh Maqedonci.
Ministri në detyrë ka theksuar se ndërveprueshmëria do të jetë objektivi kyç i Forcës së Sigurisë së Kosovës në këto stërvitje shumëkombëshe.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet i kërcënuar derisa Serbia në Kushtetutë ende e mban Kosovën si pjesë të saj.
Ai ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se kërcënimi është aktual derisa autoritetet në Serbi ende e promovojnë popullin serb si popull qiellor, derisa shtoi se Kosova duhet të jetë e brengosur, por assesi e frikësuar.
“Serbia vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë dhe vendet që zhvillojnë politika autokratike. Ne i shohim prezentë edhe nga Serbia, duke pasur parasysh se Serbia po vazhdon që Kosovën ta mbajë në Kushtetutë si pjesë të territorit. Përderisa ajo promovon politikë hegjemoniste, ministri i Jashtëm serb, promovon se populli serb është qiellor, atëherë paqja në Ballkanin Perëndimor do të jetë e cenueshme. Mosndërrimi politik në Serbi është kërcënim në vete, e duhet brengosemi të gjithë, por assesi të frikësohemi”, ka thënë Maqedonci.
Ministri në detyrë ka shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon ta respektojë zotimin e 2013-s se s’do të përfshihet në komunat veriore pa koordinim paraprak me KFOR-in, ndonëse shtoi se nuk pajtohet me këtë zotim.
“Ajo letër e ka kufizuar veprimin e FSK-së na katër komunat veriore. E kemi thënë disa herë që pavarësisht se nuk pajtohemi, do të vazhdojmë të respektojmë pasi është zotim i institucioneve tona me NATO-n”, ka thënë Maqedonci.
Maqedonci ka deklaruar se ushtria e Kosovës nuk fuqizohet që të ballafaqohet me një armik të caktuar, por “përgatitet që të jetë e gatshme të ballafaqohet me çdo kërcenim nga kushdo që vjen”.