Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova po punon që sistemet antitank Javelin, të cilat janë porositur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të arrijnë më herët sesa është planifikuar në kontratë.
“Kemi diskutuar mundësinë që SHBA-të të na mundësojnë që këto pajisje t’i kemi deri në fund të vitit 2025, pavarësisht se në kontratë ka qenë e planifikuar pas vitit 2025, pra në 2026 e tutje që t’i kemi”, deklaroi Maqedonci.
Ai tha se kontrata për blerjen e këtyre sistemeve është nënshkruar vitin e kaluar dhe përfshin disa faza të zbatimit.
“Kontrata ka disa faza, nuk nënkupton se me nënshkrimin e kontratës do të kesh pajisjet. Janë fazat kur bëhen pagesat, kur është planifikuar që pajisjet të arrijnë në vend, leja e eksportit që është aprovuar vitin e kaluar, si dhe vetë blerja që është miratuar”, sqaroi ai.
Sipas ministrit, synimi është që të sigurohet të paktën një pjesë e këtyre pajisjeve më herët, me qëllim që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të kenë kohë të mjaftueshme për t’u trajnuar dhe për t’u familjarizuar me to.
“Unë besoj që do të kemi një sasi, ndoshta jo gjithë sasinë, por sa për t’iu mundësuar pjesëtarëve tanë që të familjarizohen me këto sisteme”, shtoi Maqedonci në RTVDukagjini.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.