×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja e koalicionit është arritur, zyrtarizimi i saj mund të bëhet edhe sonte

    Reporteri
    24 Dhjetor 2019 | 15:01

    Liderët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sipas burimeve të Reporteri.net, pritet të takohen sot pasdite, për të formalizuar edhe detajet e fundit të marrëveshjes së koalicionit qeverisës, për të cilën tashmë palët janë pajtuar. Nuk dihet nëse ajo do të zyrtarizohet sonte, por gjithësesi para seancës konstituive të së enjtes.


    VV dhe LDK pa shumë vështirësi kishin arritur të merreshin vesh për programin qeverisës, e edhe për ndarjen e posteve tjera, duke përfshirë ministritë dhe kryetarin e Kuvendit, por ishin futur në ngërç, kur në tavolinë ishte paraqitur kërkesa që në marrëveshje të futej edhe posti i Presidentit të vnedit, i cili do të duhet të zgjidhet pasi presidentit aktual t’i përfundojë mandati.

    Ky post kishte bërë që palët të pozicionoheshin në barrikadat e tyre, duke bërë të nevojshme edhe ndërhyrjen e fuqishme të faktorit ndërkombëtare, në veçanti atij gjerman. Edhe publikisht dy përfaqësuesit e kancelares Angela Merkel gjatë një vizite në Kosovë, thanë se çështja e Presidentit nuk duhet të jetë pengesë për arritjen e koalicionit dhe ajo duhet të lihet për më vonë, kur të vijë koha e zgjedhjes së tij.

    Presioni ndërkombëtar sipas burimeve të Reporteri.net, ka vazhduar në adresë të dy partive edhe jashtë syrit të opinionit publik, dhe kjo ka bërë që LDK të tërhiqet nga pozicioni i saj, se posti i presidentit duhet të qartësohet bashkë me marrëveshjen e koaliconit qeverisës.

    Ashtu siç e tha mbrëmë edhe nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, palët kanë gjetur një lloj kompromisi, që në marrëveshjen e koalicionit të vendosen disa korniza se si do të shkohet me zgjedhjen e presidentit, por duke e lënë të hapur negocimin në detaje për më vonë kur të afrohet koha e zgjedhjes së tij.

    Sipas burimeve të Reporteri.net, marrëveshja e koalicionit tashmë është drejtë finalizimit dhe ajo pritet të zyrtarizohet në çdo moment, por para seancës konstituive e cila është caktuar të mbahet këtë enjte. Edhe pse i vetmi që ka ngulur këmbë që LDK të mos tërhiqet nga posti i Presidentit ka qenë nënkryetari Agim Veliu, gjë që ka bërë edhe të shtyhet takimi i sotëm në mes të Mustafës dhe Kurtit i paraparë për orën 13:00. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!