16 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës janë dërguar në Kopenhagë të Danimarkës, ku kanë filluar trajnimin e tyre profesional, në kuadër të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve nga Danimarka në Burgun e Gjilanit, shkruan Reporteri.net.
Sipas SHKK’së, trajnimi do të zgjasë gjashtë muaj.
“…organizohet nga autoritetet daneze dhe ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të stafit korrektues për menaxhimin dhe trajtimin e të burgosurve në përputhje me standardet më të avancuara evropiane”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se përvoja që zyrtarët do të fitojnë në këtë trajnim pritet të kontribuojë ndjeshëm në përgatitjen e Burgut të Gjilanit për pritjen dhe trajtimin efikas të të burgosurve nga Danimarka.
Ndryshe, grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka pritet të arrijë në Kosovë pas dy vitesh.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka deklaruar se ata pritet të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prillin e 2027-s.
Ky transferim është pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.
Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të arrijnë në Kosovë në prillin e 2027-s