×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja për targat, Presidentja Osmani ia jep krejt meritat SHBA’së – s’e përmend fare BE’në

    Reporteri
    23 Nëntor 2022 | 22:54

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas arritjes së një marrëveshjeje për targat në Bruksel, në takimin mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimit nga Kosova dhe Petar Petkoviç nga Serbia.

    Në reagimin e saj, Presidentja i ka falënderuar vetëm ShBA’të dhe ambasadorin Hovenier për arritjen e marrëveshjes, derisa BE’në s’e ka përmendur fare, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Dua ta falënderoj ambasadorin Jeff Hovenier dhe Qeverinë e ShBA’ve për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdosshme. Kosova u është mirënjohëse”, shkroi Osmani në Twitter.

    Kujtojmë se pasi dështoi së arrituri një marrëveshje e tillë dy ditë më parë, pas takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, në Bruksel, Presidentja Osmani e akuzoi Shefin e Diplomacisë së BE’së, Josep Borrell, për njëanshmëri.

    Osmani tha se sikur Borrell “t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit”, në vend se ta akuzonte Kosovën, do t’ia përmende Serbisë ndonjë prej marrëveshjeve të shkelura të Brukselit.

    Presidentja i reagon Borrellit: Ajo që pamë sot nga ju ishte njëanshmëri, e akomoduat agresorin

    Ndryshe, tashmë është bërë publike arritja e një marrëveshje për targat në takimin e sotëm në Bruksel, mes Kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, shkruan tutje Reporteri.net.

    Lajmin e ka bërë të ditur Shefi i Diplomacisë së BE’së, Josep Borrell, përmes një postimi në Twitter.

    Borrell ka deklaruar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Arritëm marrëveshje! Shumë i kënaqur të deklaroj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE’së, janë pajtuar për masat që shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të përqendrohen plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve, ka shkruar Borrell.

    Borrell jep detajet e para të marrëveshjes Kosovë-Serbi për targat

    Borrell ka thënë se Serbia do të ndalojë së lëshuari targa me ëmërtimet e qyteteve të Kosovës, e Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, që i bie mos shqiptimi i gjobave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Për hapat e ardhshëm, ka thënë se do t’i ftoj palët në takim gjatë ditëve në vijim.

    “Serbia do të ndalojë së lëshuari targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës ndërsa Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Në ditët në vijim, do t’i ftoj të dy palët për t’i diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhshme”, ka shkruar Borrell. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!