×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja që (s’)ka kohë mes Kosovës dhe Serbisë

    Reporteri
    18 Tetor 2022 | 20:32

    Autor: Xhezair Dashi


    Për herë të parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nevojën për të arritur marrëveshje me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve e artikuloi edhe në terma të përshpejtuar kohorë.

    “S’jam i sigurt që i kemi as dy vite kohë”, tha kryeministri në “Conflict Zone” në një intervistë me Tim Sebastian, kur ky i fundit e pyeti se a do të ketë marrëveshje deri në vitin 2024. “Marrëveshja duhet arritur sa më parë”, u shpreh ai.

    Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, që nga 24 shkurti, i ka rënë një borie paralajmërimit se Rusia do të shndërrohet në një shtet të përjashtuar nga bota, dhe kësisoji do të humbasin edhe mbështetjen ruse ndaj Kosovës. “Kosovës do t’i hapet rruga për anëtarësim në OKB”, kishte thënë ai, pak ditë pas nisjes së invazionit rus në Ukrainë.

    Kohëve të fundit, një gjë e tillë tha se i është ofruar edhe pas angazhimit të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz në dialogun Kosovë-Serbi. Por, ka thënë ai, një gjë të tillë “nuk e kam pranuar”.

    Ish-ambasadori kosovar në Mal të Zi, Ylber Hysa, në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, në pikturën e gjerë aktuale gjeopolitike, thotë se “çështja e Kosovës nuk është problem vetëm i Kosovës në këtë moment”.

    Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa

    “Është heqja e Kosovës si problem i hapur dhe eliminim i mundësisë për t’u përdorur nga Rusia. Është rrumbullaksim gjeostrategjik perëndimor në rajon. Në këtë aspekt, refuzimi për të gjetur zgjidhje për Kosovën, është refuzim i gjeostrategjisë perëndimore”, na tha Ylber Hysa.

    Edhe për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, profesorin universitar në Winchester, Seb Bytyçin, momenti është që të ketë marrëveshje.

    “Kushtet janë të tilla që të jetë e mundur një marrëveshje”, tha Bytyçi për Repoteri.net. “Pra gjendja politike në Kosovë, ajo në Serbi, si dhe zhvillimet në Evropë kanë krijuar kushte të tilla”.

    Hysa sheh momentumin gjeopolitik kur konstanton se “korniza kohore e cila po përmendet me të madhe nga të dyja palët, mendoj se nuk ka të bëjë fare me këto dy qeveri, por ka të bëjë me me një moment më madhor, me një Vis Major i cili është imponuar pas 24 shkurtit me luftën në Ukrainë”.

    “Dhe, në këtë aspekt dialogu Prishtinë-Beogad, apo një lloj epilogu nga kjo marrëveshje e mundshme, lidhet direkt me situatën gjeostrategjike globale të imponuar me luftën në Ukrainën. Kështu që nuk është as vullnet dhe as disponim i këtyre dy palëve, në fakt nëse ato nuk do të jenë bashkëpunuese në këtë rrugë, besoj se kjo do të shihet si një refuzim për të qenë pjesë e një situate që ka të bëjë me një rregullim serioz gjeostrategjik”, thotë Ylber Hysa.

    Kornizën e përfolur kohore (2024), Seb Bytyçi e sheh të ndërlidhur edhe me mandatin e emisarit sllovak, Miroslav Lajçak, por edhe me zgjedhjet presidenciale në ShBA.

    Profesori universitar në Winchester, Seb Bytyçi

    “Këto ndërlidhen me kohëzgjatjen e mandatit të fascilituesit të BE-së, Lajçak (si dhe me zgjedhjet presidenciale në SHBA) si afat i fundit për ta arritur marrëveshjen. Dhe ndërkohë me dëshirën në Evropë që kjo marrëveshje të arrihet sa më shpejtë. Pra nëse ka vullnet politik marrëveshja pritet arrihet në pjesën e parë të 2023-ës, edhe pse Serbia synon ta zgjasë sa më shumë modelin e ‘negociatave të përhershme’. Pra tash po krijohet pritja se ky është mandati i fundit i Lajçakut dhe me të përfundon dialogu”, tha Bytyçi.

    Hysa është i qartë në atë se marrëveshja Kosovë-Serbi është në fokus të thellë perëndimor – dhe atë pikërisht për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën. “Kjo është një çështje e cila duhet t’i paraprijë konfliktit në Ukrainë”.

    “Sepse jemi dëshmitar që Putin në narrativën e ti je ka funksionalizuar Kosovën si precedan. Përpjekja për të gjetur një epilog në dialogun Prishtinë-Beograd është një përpjekje për t’ia marrë Putinit këtë epilog, që të mos përdoret për një agresion të cilin është duke e bërë në Ukrainë dhe në këtë aspekt këtu e shoh momentin strategjik të këtij dialogu. Çështja e Kosovës nuk është problem vetëm i Kosovës në këtë moment”, konkludon Hysa.

    Për propozimet në një kornizë të supozuar “franko-gjermane”, Bytyçi thotë se janë pikënisje, por se nuk kemi të bëjmë ende me një platformë fikse.

    Për atë që u tha të bazohej në modelin e Dy Gjermanive, ku palët zotoheshin të mos e bllokonin njëra tjetrën, Serbia Kosovën në OKB, Kosova Serbinë në BE, për profesorin Bytyçi janë ide “që do të diskutohen gjatë kësaj faze të dialogut, por ende nuk bëhet fjalë për propozim përfundimtar ‘merre ose leje’”.

    “Janë pikënisje dhe gjatë negociatave shtohen çështje tjera që ju interesojnë palëve, për shembull çështja e të pagjeturve. Sfida e Kosovës tash është t’i bindë ndërmjetësuesit se duhet të përfshihen në agjendë sa më shumë çështje për të cilat brengoset Kosova”.

    Shumë më e lehtë se sa mendohet, pohon profesor Bytyçi, është një njohje indirekte nga Serbia.

    “Në fakt publiku në Serbi e ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur. Madje edhe politikanët më radikalë fokusin e kanë vetëm te veriu i Kosovës dhe nuk flasin shumë as për kishat as për serbët në jug të Ibrit”.

    “Kosova duhet të vazhdojë të kërkojë njohje të drejtpërdrejtë, dhe si kompromis mund ta pranojë njohjen indirekte të përkohshme me njohje të plotë pas një afati kohor”, tha mes tjerash profesori për gazetën online Reporteri.net.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti qëndron prapa formulimit të dialogut si dialog “për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme të qendërzuar në njohje të ndërsjellë”.

    Dhe është pikërisht njohja e ndërsjellë, ajo që sjell negacionin e palës tjetër, kërkesë kjo jo eksplicite evropiane, por se kancelari federal gjerman Olaf Scholz, në Beograd e qartësoi se “kjo është ajo çfarë është nënkuptueshme” në dialogun e Brukselit.

    “Është e paimagjinueshme që dy vende që s’e njohin njëra-tjetrën të anëtarësohen në BE”, ka thënë ai.

    Kryeministri kosovar kaherë e ka artikuluar se “nuk japim gjë për njohje nga Serbia” dhe se “Kosova mund është shtet i pavarur dhe ecën edhe pa të”.

    Argumentimi i Kurtit ka qenë se njohja nga Serbia “nuk duhet paguar as territorialisht dhe as me funksionalitetin e shtetit”, duke nënkuptuar së pari idetë për shkëmbim territorial dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bashkësi kjo e cila parasheh kompetenca ekzekutive ose autonomi të zgjeruar të komunave serbe brenda Kosovës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!