×
  • Lajme
  • Lajme / Inspektimet

    “Marrëveshje kartel”, në Prishtinë dhe Gjakovë çmimi i bukës u shtrenjtua me koordinim mes furrave

    Reporteri
    19 Maj 2025 | 21:01

    Autoriteti i Konkurrencës thotë se pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë kanë ardhur në përfundim se shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe me koordinim. Ndaj shkelësve të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës (marrëveshje të ndaluara – kartele), pos hetimeve formale, Autoriteti i Konkurrencës po e analizon mundësinë e masës së përkohshme që nënkupton mbylljen e operatorit ekonomik deri në 6 muaj.

    Kosova është shtet demokratik dhe ekonomia funksionin mbi parimin e tregut të lirë.

    Shteti nuk mund të vendosë se sa kushton një produkt por vepron kur tregtarët e bukës për shembull, në një qytet, vendosin që çmimi për një bukë nga 50 centë të bëhet 60 centë. Shembull për këtë ishte Gjakova, para dy javësh.

    Kjo është konstatuar pas inspektimeve në dy qytete. Këtë e kanë konfirmuar nga Autoriteti i Konkurrencës.

    “Pas inspektimeve të zhvilluara, Autoriteti ka identifikuar shkelje të nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës (marrëveshje të ndaluara – kartele) nga subjekte të sektorit të bukës në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Këto shkelje lidhen me bashkërendimin e çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore për koordinim të tillë në treg.”, kanë deklaruar nga AKK për RTV Dukagjini.

    Për këto raste janë duke u ndërmarrë hapat procedurale për nisjen e hetimeve formale, në përputhje me ligjin.

    Autoriteti i Konkurrencës thotë se është duke e analizuar mundësinë e vendosjes së masave të përkohshme sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Masat e përkohshme nënkuptojnë mbylljen e operatorit ekonomik deri në 6 muaj.

    Nën llupën e AKK-së janë mbi 20 produkte ushqimore, përfshirë edhe në sektorin e gastronomisë.

    “…Është një monitorim edhe në produktin e kafes, edhe tek kafja e kemi pas një shqetësim, në sektorin e gastronomisë, me theks të veçantënë rritjen e çmimit të kafesë, është në vëzhgim prej autoritetit. Inspektorët e autoritetit çdo ditë tani më janë në terren dhe po zhvillojnë në qytete të ndryshme intervista dhe po mbledhin të dhëna prej ndërmarrjeve për arsyejet e ngritjes së këtyre çmimeve” deklaroi Adrian Mustafa – U.d. i shefit të Departamentit të Analizës dhe Metodologjisë.

    Arsyetimi kryesor të cilin e kanë dhënë furrtarët por edhe gastronomët për shtrenjtimin e çmimit të bukës dhe kafesë është shtrenjtimi i çmimit të rrymës. Megjithatë çmimet janë ngritur disa javë para se KEDS të nis faturimin me tarifa të reja.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!