×
  • Lajme
  • Lajme

    MASH bën thirrje për kujdes të shtuar në shkolla: Nëse situata përkeqësohet ato mund të mbyllen

    Reporteri
    19 Shtator 2020 | 17:50

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës i bën thirrje menaxhmentit të shkollave, mësimdhënësve, nxënësve, prindërve dhe kujdestarëve ligjorë për kujdes të shtuar në shkolla, në oborret e shkollave dhe në afërsi të tyre, në mënyrë që të jepet kontributi nga të gjithë për ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.


    Përmes një komunikate Ministria ka paralajmëruar se nëse situata pandemike përkeqësohet në shkolla atëherë Ministria e Shëndetësisë mund të marr vendim t’i mbyllë ato, shkruan Reporteri.net.

    MASH po ashtu kërkon nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që të kujdesen për dezinfektimin e vazhdueshëm dhe mirëmbajtjen e shkollave sipas rekomandimeve të IKShPK-së, MSH-së dhe Udhëzuesit për organizmin e mësimit në kushte pandemie.

    Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nëse situata pandemike përkeqësohet, mund të marrin vendim për mbylljen e shkollave.

    Prandaj, MASH kërkon nga task forcat e shkollave dhe të DKA-ve që, përveçse të kujdesen për zbatimin e të gjitha masave, të vlerësojnë edhe situatën dhe ato shkolla që kanë vështirësi në organizim, të respektojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 në kushte pandemie, dhe të kalojnë në mësim online, sipas Protokolit të reagimit ndaj pandemisë COVID-19 në shkolla dhe Udhëzuesit të MASH.

    Mësimdhënësit dhe nxënësit e të gjitha niveleve parauniversitare të Republikës së Kosovës, niveli parashkollor, fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm i lartë mund t’i përcjellin regjistrimet e përmbajtjeve mësimore në platformën e Shqipërisë www.akademi.al, ku me rastin e regjistrimit duhet përzgjedhur Kosovën si vendi ku zhvilloni mësimin, ndërsa çasja në këtë platformë duhet konfirmuar përmes e-mailit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!