×
  • Lajme
  • Lajme

    MASH-i parasheh shkëputje kontrate për drejtorët e shkollave nëse organizojnë aktivitete politike

    Reporteri
    06 Shkurt 2021 | 20:23

    Me shkëputje të kontratës mund t’u kushtojë drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave pjesëmarrja nëpër aktivitete të partive politike ose lejimi i nxënësve dhe personelit të shkollave që të marrin pjesë në tubime të tilla.


    Sipas një udhëzimi administrativ që e ka nxjerrë javë më parë Ministria e Arsimit, kontrata mund t’u shkëputet edhe nëse konstatohet se pas emërimit si drejtor ose zëvendësdrejtor, angazhohen në forumet drejtuese të partive.

    Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, identifikimi i drejtorëve të shkollave me parti politike është i papranueshëm dhe në kundërshtim me kontratat që i nënshkruajnë.

    “Ne kemi një udhëzim administrativ, i cili thërret në ndërprerje të kontratës për të gjithë ata që bëjnë këtë shkelje mirëpo fatkeqësia qëllon në mos zbatimin e saj pasi që jemi në një situatë ku vet institucioni i MASH dhe drejtoritë komunale janë pjesëtarë të kësaj fushate politike”, ka thënë ai.

    Kushdo që bënë shkelje të këtij udhëzimi sipas tij, do të duhej të ndëshkohej nga MASH-i dhe drejtoritë komunale.

    Megjithatë, në disa komuna janë parë punëtorë të arsimit duke marrë pjesë në aktivitete politike. Një ditë më parë, kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka mbledhur një numër të madh të mësimdhënësve, të cilëve u ka shpalosur planet për arsim. Në degën e PDK-së në Gjilan e kanë mohuar që në tubim të ketë pasur edhe drejtor shkollash.

    Deri tash, Komuna e Drenasit është e vetmja që ka nxjerrë vendim që t’ua ndalojë drejtuesve të shkollave të marrin pjesë nëpër aktivitete partiake gjatë fushatës zgjedhore.

    KOHA e ka pyetur ministrin e Arsimit, Ramë Likaj nëse do të ndërmerren masa ndaj drejtorëve të shkollave që nuk e respektojnë udhëzimin e MASH-it, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!