×
  • Lajme
  • Lajme

    MASH-i shqyrton rikthimin në shkolla ose mbajtjen e mësimit në distancë në shtator

    Reporteri
    29 Qershor 2020 | 20:37

    Rreth dy muaj para se të nisë viti i ri shkollor 2020/2021, Ministria e Arsimit ka formuar grupe punuese për përgatitjen e një plani që do të ketë dy opsione, rikthim në shkolla apo vazhdim të mësimit nga distanca.


    Kabineti i ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, e ka konfirmuar për “Kohën”, se vendimi do të merret bazuar në praktikat e vendeve të tjera.

    Sipas përgjigjes më shkrim thuhet se plani A do të jetë që nëse rihapen institucionet arsimore, të merren të gjitha masat mbrojtëse në shkolla dhe të ketë informim të mjaftueshëm për nxënësit se si të mbrohen nga COVID-19. Ndërkaq plani B nëse shkollat nuk rihapen, të bëhen përgatitjet e duhura që mësimi të vazhdohet në tri komponentë: online, në distancë dhe i kombinuar.

    “MASh është duke e bërë llogaritjen se sa do të jetë shuma totale për përgatitjen e shkollave për rihapje në shtator, shumë e cila duhet të kërkohet gjatë rishikimit të buxhetit, e po ashtu është në kontakt me donatorë që mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Gjithsesi, MASh do të jetë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

    Ky institucion nuk ka sqaruar se kur do të dihet saktë se si do të nisë viti i ri shkollor. Përgjigje për këtë nuk kanë kthyer as në Ministrinë e Shëndetësisë.

    Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, Ministria e Arsimit duhet urgjentisht ta hartojë planin për vitin e ri shkollor e gjithashtu të përgatisë një analizë për rezultatet e mësimit nga distanca.

    Për shkak të pandemisë Covid-19 në Kosovë, mësimi në distancë ka filluar më 23 mars. Javën e kaluar është përmbyllur procesi mësimor derisa vlerësimi i nxënësve është bërë nga distanca në bazë të një udhëzuesi që e kishte publikuar MASH-i në prill të këtij viti.

    Si rezultat i rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, është shtyrë për muajin gusht edhe mbajtja e testeve të arritshmërisë dhe maturës. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!