×
  • Lajme
  • Lajme

    Maskat dalin në rrugë, plaçkitin vetura, një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë afër Prishtinës

    Reporteri
    17 Janar 2020 | 14:23
    Foto: Ilustrim

    Një grabitje e armatosur dhe me maska ka ndodhur mbrëmë rreth mesnate në fshatin Shkabaj, pak kilometra larg kryeqytetit.


    Dy persona të maskuar dhe të armatosur i kanë zënë priten një veture në të cilën ndodheshin dy persona tjerë.

    Siç ka marrë vesh Gazeta Online “Reporteri.net”, nën kërcënimin e armës automatike (kallash) që barte njëri prej të dyshuarve dhe një pistolete të cilën e mbante i dyshuari tjetër, plaçkitësit kanë detyruar viktimat që dalin nga vetura e tyre dhe i kanë shtrirë për toke. Tutje, ata pasi kanë kontrolluar viktimat, nga ta kanë marrë një kuletë.

    Më pas, plaçkitësit e maskuar dhe të armatosur janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë, e cila më vonë, siç ka mësuar Reporteri.net, është gjetur e djegur në hyrje të autostradës “Ibrahim Rugova”, në fshatin Mazgit – pak kilometra larg vendit ku kryen vjedhjen e armatosur.

    Ndryshe, Reporteri.net ka shkruar të enjten edhe për një tentativë për grabitje tjetër të armatosur dhe me maska në Prishtinë. Një auto-sallon në dalje të kryeqytetit, drejtimi për Ferizaj, kishte qenë cak i kësaj përpjekje për grabitje me armë, por që ‘maskat’ kishin hasur në rezistencën e pronarëve të lokalit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!