Një incient ka ndodhur në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, teksa një grup i të rinjve, maturantë të komunitetit serb, po marshonin në këtë shesh.
Politikani serb, Aleksandar Arsinijeviq ka shpërndarë një video në profilin e tij në Facebook, ku shihet edhe reagimi i Policisë së Kosovës.
Aleksandar Arsinijeviq thotë se ishin maturantët ata që ecnin në shesh dhe po festonin diplomimin. Arsinijeviq thotë se nga kafenetë shqiptare në fund të shëtitores i provokuan duke bërë shqiponjën me duar dhe duke i ofenduar.
“Në vend që të mbronte fëmijët tanë, Policia u përplas me një grup maturantësh, arrestoi njërin prej tyre, një të ri që donte vetëm, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij në botë, të festonte diplomimin nga shkolla. Ne e dënojmë fuqimisht këtë sjellje dhe dhunën institucionale kundër fëmijëve serbë” – ka shkruar Arsinijeviq.
Ai pretendon se Policia e Kosovës ka arrestuar njërin nga maturantët, por zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka mohuar diçka të tillë.
Elshani ka thënë se Policia ka reaguar me qëllim të parandaloj eskalimin e situatës.
“Gjatë festimit të maturës ka pasë provokime dhe për të mos ardhë deri te eskalimi i situatës, policia ka reaguar. Situata është qetësuar dhe maturantët kanë vazhduar festën e tyre”, ka deklaruar Elshani për Kallxo.com.
Në pamje shihet që një i ri kapet nga Policia e Kosovës dhe të njëjtit i kërkohet të mos provokojë. I njëjti në fund vazhdon rrugën në sheshin ‘Car Llazari”.