Liderët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë në letrat e urimit me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë bërë thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kanë ofruar mbështetje edhe për rrugën euroatlantike dhe integrimin në BE, shkruan Reporteri.net.
Në mesazhin e tij, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.
“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në mesazhin e tij.
Presidenti Trump ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.
Në fund të urimit, Presidenti Trump ka theksuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme dhe për të parë drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në mesazhin e tij ka folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe për Marrëveshjen e Brukselit-Ohrit.
“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”.
“Në këtë drejtim, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një Përfaqësuesi të ri special të Bashkimit Evropian duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Macron.
Më tej, në urim shfaqi shpresën që të dy shtetet të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë”, thuhet në urim.
Në këtë urim, Presidenti Macron ka falënderuar Presidenten Osmani për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame.
“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij, Presidenti Macron.
Kurse presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në mesashin e tij ka thënë se dëshirojnë që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian,
“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet në urimin e Steinmeier.
Më tej, Steinmeier ka potencuar se në çështjet e politikës së jashtme, Kosova është pozicionuar qartësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, në shkelje të të drejtës ndërkombëtare.
“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian..”, thuhet në urim.
Në fund të urimit të tij, Presidenti Steinmeier ka theksuar se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës, duke përkrahur stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian.
Ndërsa, Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, në mesazhin e tij ka thënë se mbështesin Kosovën drejt integrimit euroatlantik.
Në mesazhin e tij, Presidenti Mattarella ka theksuar se të dy shtetet kanë fuqizuar miqësinë vazhdimisht gjatë viteve, falë edhe kontributit të palëkundur të Italisë për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës.
“Republika e Italisë mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në urimin e Presidentit Mattarella.
Mbreti Charles III gjithashtu shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në letrën e urimit.
“Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë. Kombet tona të mund të bashkëpunojnë për të dhënë një ndikim pozitiv në ndryshimet klimatike dhe çështjet mjedisore, të cilat na prekin të gjithëve globalisht”, thuhet në urimin e Mbretit Charles III. /Reporteri.net/.