Një tank i shkatërruar serb tash e 21 vite ruhet në Qubrel të Skënderajt.
Ai ka mbetur aty pas një beteje të ashpër të u zhvillua mes forcave serbe që po shkonin në drejtim të Pejës dhe pjesëtarëve të UÇK-së, shkruan Reporteri.
Historinë e këtij tanku, vite më parë e kishte rrëfyer veterani luftës së UÇK-së, Adem Buliqi.
Ai kishte rrëfyer se më 17 prill 1999, në këtë pjesë të fshatit, përkatësisht në rrugën Skenderaj-Pejë, forcat e UÇK-së u ndeshën me një konvoj të ushtrisë serbe që kishte disa automjete dhe një tank.
“Ishim mirë të përgatitur dhe forcave serbe ju shkaktuam humbje të mëdha në njerëz. Duke parë se nuk do ia dalin në luftë me ne, forcat serbe mblodhën të vrarit dhe të plagosurit e tyre dhe filluan të ikin, pasi terreni ishte i tillë dhe tanku nuk mund të depërtonte deri në pikën ku ne qëndronim. Nuk e di se si ndodhi, a u qëlluan drejtuesit e tankut nga ndonjë plumb i ushtarëve tonë, apo ndodhi diçka tjetër, por për një kemi parë se tanku u rrokullis në anën e kundërt të rrugës ku ne po qëndronim”, kishte rrëfyer ai vite më parë.
Bulliqi ka thënë se nuk ka para që e detyron ta largojë këtë tank nga aty dhe se do ta ruajë për të kujtuar betejën e ashpër që u zhvillua dhe humbjen e forcave serbe.
Reporteri.net ju sjell disa foto nga mbetjet e këtij tanku që janë realizuar sot. /Reporteri.net