Mbi 36 mijë euro është vlera e shpenzimeve të Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që kur e mori detyrën e deri në dhjetor të vitit të kaluar. Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar qasje në listën e shpenzimeve të tij përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. Më poshtë gjeni detaje se sa shpenzoi ai për akomodim jashtë vendit, shpenzime tjera gjatë udhëtimit, dreka zyrtare, bife, si dhe mëditjet që mori.
Dorëheqja e Armend Mehajt para rreth një viti e gjysmë, ia hapi rrugën Ejup Maqedoncit që të vinte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Kryeministri Albin Kurti e emëroi atë Ministër më 8 gusht të vitit 2023.
Por, sa ka shpenzuar Maqedonci prej se është bërë Ministër? Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar qasje në listën e shpenzimeve të tij, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Sipas listës së ofruar, shpenzimet e Maqedoncit deri në dhjetor të vitit të kaluar shkojnë mbi 36 mijë euro. Rreth 10 mijë euro janë shpenzime të vitit 2023, e mbi 26 mijë tjera të vitit 2024.
Më së shumti del se ka shpenzuar për dreka zyrtare, ku totali shkon në 10 mijë e 401 euro. Mbi tetë mijë euro kanë qenë shpenzime për dreka zyrtare gjatë vitit të kaluar.
Pas drekave zyrtare, renditen shpenzimet për akomodim në udhëtimet jashtë vendit. Në 2023’ën ka shpenzuar 2 mijë e 114 euro për këtë qëllim, e në 2024’ën 6 mijë e 633 euro. Në total i bie 8 mijë e 748 euro.
Për shpenzime tjera gjatë këtyre udhëtime, Maqedonci ka harxhuar 7 mijë e 909 euro. 3 mijë e 719 euro janë shpenzime gjatë vitit 2023, e 4 mijë e 192 tjera gjatë vitit 2024.
Për rreth një vit e gjysmë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ai ka marrë mëditje për udhëtim jashtë vendit në vlerë 5 mijë e 672 euro, ku 4 mijë e 635 euro janë të vitin të kaluar.
Në fund të listës që i është dërguar Reporteri.net, figurojnë edhe shpenzimet e Ministrit për bife. Maqedonci figuron se ka shpenzuar 3 mijë e 434 euro për bife. Në 2023’ën për këtë qëllim ka shpenzuar 825 euro, derisa në 2024’ën 2 mijë e 608 euro.
Çfarë pasurie deklaroi Maqedonci në regjistrin e APK’së?
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë që ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në mars të vitit të kaluar, Maqedonci ka deklaruar si pasuri të paluajshtme një banesë në vlerë prej 50 mijë euro, që ka thënë se e ka blerë me kredi në vitin 2019 dhe një garazhë në vlerë 3 mijë euro, të blerë më 2022 me kursime personale.
Tek pasuritë e luajtshme, kishte deklaruar veturën e bashkëshortes në vlerë 18 mijë e 400 euro.
Si para të gatshme kishte deklaruar 6 mijë e 566 euro, derisa kishte deklaruar edhe një kredi në vlerë 30 mijë euro, me vlerë të mbetur 18 mijë euro, që kishte thënë se e kishte marrë për blerje të banesës.
Të hyrat vjetore të tij përfshinin pagat nga Ministria e Mbrojtjes në shumë 20 mijë e 664 euro, mëditje në vlerë 3 mijë e 100 euro për udhëtime jashtë vendit, pensionet e FSK’së në vlerë 6 mijë e 672 euro, si dhe pensionet për veteranët të bashkëshortes në shumë 2 mijë e 40 euro.
Kush është Ejup Maqedonci?
Para se të emërohej Ministër, Maqedonci ka qenë Këshilltar për Siguri dhe Mbrojtje i Kryeministrit gjatë viteve 2021 – 2023.
Ai doli në pension të parakohshëm nga Forca e Sigurisë së Kosovës në korrik të vitit 2023. Ka qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit.
Si pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), Maqedonci ka shërbyer për një dekadë si komandant i batalionit për kërkim-shpëtim.
Maqedonci më pas ka vazhduar detyrën e shefit të departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
Atij i është ndarë “Medalja e Karrierës” për kontributin e dhënë për formimin, ristrukturimin dhe modernizimin e FSK-së, nga ish-Ministri Armend Mehaj./Reporteri.net