×
  • Lajme
  • Lajme / Trump apo Harris?

    Mbi 80 milionë amerikanë kanë votuar deri tash, çka duhet të dini rreth zgjedhjeve në ShBA

    Reporteri
    05 Nëntor 2024 | 20:03

    Amerikanët u janë drejtuar sot qendrave të votimit për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm: Ish-presidentin Donald Trump apo Nënpresidenten aktuale, Kamala Harris, shkruan Reporteri.net.

    Vendvotimet janë hapur në të gjithë vendin dhe do të vazhdojnë deri në mbrëmje. Zyrtarët zgjedhorë në të gjithë ShBA’në janë zotuar se do të ruajnë integritetin e votës dhe u kanë bërë thirrje votuesve që të mos bien pre e teorive konspiracioniste.

    Siç raporton CNN, deri tash nuk ka pasur ndonjë incident, përveç disa vonesave të vogla që kanë ardhur si pasojë e defekteve të pajisjeve.

    Sipas raportimeve, deri tash kanë votuar 83 milionë qytetarë, bazuar nga të dhënat e fundit nga 48 shtete dhe Distrikti i Kolumbisë.

    Pensilvania dhe Florida presin numërim të shpejtë të votave

    Rezultatet e zgjedhjeve në Florida do të dihen deri në kohën kur “do të shkoni në shtrat sonte”, tha Sekretari i Shtetit i Floridës, Cord Byrd. Komisioneri i qytetit të Filadelfias, Seth Bluestein, i tha CNN se ai beson se numërimi i votave do të shkojë “shumë më shpejt” në ciklin zgjedhor 2024 krahasuar me vitin 2020. “Shpresojmë, nëse gjithçka vazhdon të ecë pa probleme”, do të përfundojë deri në mes të ditës të mërkurën, tha Bluestein.

    Paralajmërime për të mos përhapur dezinformata

    Më shumë se 100 drejtues të profesionit ligjor nënshkruan një letër të hapur duke paralajmëruar avokatët që të mos shpërndajnë informacion të rremë në dosjet gjyqësore.

    “Ngritja e padive në lidhje me zgjedhjet pa një bazë të fortë faktike dhe ligjore rrezikon vetë institucionet që avokatët janë të detyruar të mbrojnë”, thuhej në letër.

    Monitorë nga Departamenti i Drejtësisë

    Pas një padie nga zyrtarët republikanë në Texas për të ndaluar monitorët e Departamentit të Drejtësisë, shteti arriti një marrëveshje që ata të vendosen jashtë qendrave të votimit. Ndërkohë, një gjykatëse federale tha të hënën në mbrëmje se ajo nuk do të bllokonte Departamentin e Drejtësisë nga vendosja e monitorëve në qendrat e votimit në St. Louis.

    Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvani, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit.

    Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar paraprakisht të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres.

    Çdo shtet, me përjashtim të Nebraskës dhe Mejnin, ua japin votat në Kolegjin Zgjedhor kandidatit që ka më së shumti vota popullore në shtetin përkatës.

    Nëse Harris dhe Trump dështojnë të arrijnë shumicën prej 270 votash në Kolegjin Zgjedhor, Dhoma e re e Përfaqësuesve në janar do të zgjedhë presidentin dhe Senati i ri po ashtu do të zgjedhë nënpresidentin.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!