Kanë kaluar mbi dy orë që kur ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky takim siç raportohet ende nuk ka përfunduar, shkruan Reporteri.net.
Takimi ka nisur në ora 9:00.
Kurti gjatë ditës së djeshme tha se do ta anulojë shkuarjen në Forumin e Prespës për të mbajtur takim me veteranët dhe për të diskutuar në lidhje me pagën minimale.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan dje në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor, që nuk përfshin rritjen e pensioneve edhe për veteranët.
Më 14 qershor, Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Projektligji, nuk e lidh më pagën minimale me vlerën e pensionit të veteranëve të luftës, siç ka qenë në të kaluarën.
Përfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale e ka kërkuar opozita. Ata kanë refuzuar ta vazhdojmë seancën e djeshme të Kuvendit, me pretendimin se nuk ka kushte normale derisa veteranët po protestojnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës si formë kundërshtimi ndaj vendimit për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagë minimale./Reporteri.net