Presidentja Vjosa Osmani, ka treguar se do ta mbledh Këshillin e Sigurisë kombëtare, pas 36 viktimave të sotme nga coronavirusi.
Osmani e ka quajtur ditë të rëndë për vendin, teksa u ka shprehur ngushëllime familjarëve.
Ajo ka kërkuar nga të gjithë qytetarët të vaksinohen me vaksinën anti-covid, si mënyra e vetme për ta parandaluar infektimin nga ky virus.
Shkrimi i plotë:
Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit.
Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.
Situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve.
Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë!